Shkrirja e krimit ekonomik, Ristani: Hakmarrje personale e Tahirit

Partia Demokratike reagoi ashpër për shkrirjen e sektorit të luftës kundër krimit ekonomik. Deputeti Arben Ristani tha se ky akt pason vazhdën e veprimeve brutale dhe arbitrare, në shkelje flagrante të ligjit, të marra nga Kryeministri Rama dhe Ministri Tahiri. Sipas Ristanit, kjo ishte dhe një hakmarrje personale e Tahirit ndaj strukturës që hetoi evazionin fiskal të biznesit të familjes së tij.Deklarata e plotë e deputetit Ristani:Dje, Ministri i Brendshëm, njoftoi pezullimin e gjithë sektorit të luftës kundër krimit ekonomik, ne gjithë vertikalen e vet në shkallë Republike, me arsyen e paarsyeshme të gjoja dekonspirimit të një aksioni policor nga një apo dy individë të veçantë. Do te ishte naive të mendohej se kjo po bëhet vetëm në shenjë hakmarrje ndaj kësaj strukture policore, sepse ishte kjo që hetoi evazionin fiskal të kompanisë farmaceutike të familjes Tahiri. Ky akt është shumë më i rendë dhe me shumë më tepër pasoja negative se ç’mund të mendohet. Së pari, ky akt pason vazhdën e veprimeve brutale dhe arbitrare, në shkelje flagrante të ligjit, të marra nga kryeministri Rama dhe ministri Tahiri, të cilët shkrinë brenda natës gjithë trupën drejtuese të Policisë së Shtetit, për ta zëvendësuar atë me njerëz që nuk kanë as arsimin përkatës, as gradën përkatëse dhe as përvojën e kërkuar nga ligji.Për më tepër, ky akt godet një strukture policore, pjesë e departamentit të luftës kundër krimit të organizuar, të konsultuar, trajnuar dhe mbështetur nga ICITAP dhe PAMEGA dhe të shquar për rezultatet pozitive të vlerësuar në të gjitha progres-raportet ndërkombëtare, përfshirë edhe këtë të fundit ku puna e këtij departamenti vlerësohet veçanërisht në kapitullin 24 të Progres-raportit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Së dyti, kjo goditje e pashembullt i jep një kohë lirie të plotë veprimeve të gjithë strukturave kriminale, objekt i punës dhe i hetimit të këtij sektori policor. Së treti, ky akt tërësisht antiligjor demotivon çdo strukturë tjetër të Policisë së Shtetit, në punën e tyre të përditshme në luftë me krimin, sepse ato tashmë perceptojnë qartë, në vijimësi, faktin që ligji nuk i mbron, struktura nuk i mbron, mekanizmat e karrierës nuk i mbrojnë dhe aq me pak mund t’i mbrojnë rezultatet në pune.E gjithë Policia e Shtetit është tashmë nën gijotinën e vendosmërisë së kryeministrit Rama dhe ministrit Tahiri, për të dalë mbi ligjin. Mjafton t’ju kujtojmë këtu përcaktimin e nenit 7 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, i cili përcakton se “Në përgjegjësitë e ministrit, nuk përfshihet drejtimi operacional i Policisë”.Është i qartë tashmë qëllimi ogurzi i këtyre njerëzve për të hequr nga radhët e policisë të gjithë profesionistët e përkushtuar dhe për t’i zëvendësuar ata me çetën apo bandën e interesave dhe militantëve të Partisë Socialiste".