“Zbraz” zyrën, në kërkim ish-shefi i SHKB-së Gjirokastër për shpërdorim detyre

Shpallet në kërkim ish-shefi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, Hajredin Berisha. Ndaj tij ka nisur procedimi penal për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.Përmes një njoftimi, policia sqaron se ndaj këtij shtetasi ka nisur procedimi penal pasi “Berisha ka marrë një automjet tip “Renault”, prodhim i viteve të fundit dhe e ka nxjerrë nga ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër duke e përdorur personalisht. Automjeti ka qenë i sekuestruar me lëndë narkotike muaj më parë dhe shërbente si provë materiale për llogari të Krimeve të Rënda, Tiranë. Dhe për shkak të mosplotësimit të kritereve të duhura, pak ditë më parë, Hajredin Berisha është shkarkuar nga detyra e shefit të SHKB-së për Gjirokastrën. Por pas shkarkimit, gjatë orëve të mbrëmjes të datës 12.10.2013, Hajredin Berisha ka futur një furgon civil në ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe ka marrë orenditë e zyrës, kolltukë, etazherë etj që ishin bërë dhuratë për zyrën nga biznesmenë të rrethit Gjirokastër”.Lidhur më këtë ngjarje janë pezulluar nga detyra edhe dy punonjës policie , punonjësi i policisë në hyrje të drejtorisë dhe nënoficeri i informacionit, të cilët kanë lejuar futjen e automjetit tip frugon natën në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër pa lejen e eprorëve përkatës.Hajredin Berisha tani akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.