Naço, Cohen: Rastet e korrupsionit do të gjykohen nga Krimet e Rënda

Ministri i Drejtësisë zhvilloi një takim kortezie me Ambasadorin e Izraelit, z. David Cohen. Ministri i bëri me dije ambasadorit planet e tij të punës në kuadër të reformës në drejtësi, duke nisur nga dixhitalizimi i gjykatave dhe noterisë, me një shtrirje në të gjithë territorin e Shqipërisë.Ai tha se është përgatitur paketa anti- korrupsion, ku rastet e korrupsionit do të gjykohen nga Gjykata e Krimeve të Rënda, por do të krijohet edhe një task- forcë në nivelin e mesëm e të ulët të administratës.“Do të ketë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin e Procedurës Civile. Në praktikë lind e nevojshme të bëhen ndryshime të thella, që të mos ketë zvarritje të proceseve gjyqësore dhe vendimet të jepen në kohë. Do të ketë ndryshime edhe në Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë për dy inspektoriatet përkatëse, si dhe përmirësim të sistemit gjyqësor dhe ndryshime në sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve. Ndryshime parashikohen edhe në Ligjin për Gjykatën e Lartë, pasi aktualisht janë 12.000 çështje të mbartura që në vitin 2009- 2010, ku mesatarisht gjykohen 1000 çështje në vit, civile dhe penale. Gjykata e lartë nuk duhet të gjykojë çdo çështje që kalon për gjykim në shkallën e parë të gjyqësorit”- theksoi Ministri Naço.Ambasadori Cohen, nga ana e tij, tha se Gjykata e Lartë e Izraelit është një nga 4 të tillat në botë që trajnon gjyqtarë të tjerë.“Kam qenë vetë përgjegjës për 16 gjyqtarë nga Gjykatat e Larta të vendeve amerikane. Ata u trajnuan me metodat amerikane mbi luftën kundërr korrupsionit, të mbuluara nga buxheti i Amerikës. Izraeli është më afër metodës së shteteve si Britania. Unë propozoj, që nëse Shqipëria mund të gjejë ndihmë nga BE dhe SHBA për këtë buxhet, mund të bëjmë diçka për gjyqtarët shqiptarë, që të marrin trajnim në këtë drejtim.”- u shpreh Ambasadori.