Turpëron kombëtarja, barazon ndaj Qipros

Kombëtarja Shqiptare e ka mbyllur me barazim pa gola ciklin eliminator "Brazili 2014" pasi në Nikozia të Qipros ka luajtur me skuadrën vendase 0:0. Formacioni i De Biazit, pati disa herë raste shënimi, por rastet e shumta nuk i konkretizoi Salihi. Tre ndeshje të njëpasnjëshme ishin presion i madh psikologjik për skuadrën kuq e zi, të cilët nuk mundën të gjenin golin. Në anën tjetër vendësit për asnjë moment nuk rrezikuan portën shqiptare.Ky barazim vjen pas tre humbjeve rreshtë ndaj Sllovenisë, Islandës dhe Zvicrës. Edhe në këtë ballafaqim Shqipëria 'vuajti" nga  paaftësia për të shënuar gol. Shqiptarët dominuan gjatë gjithë ndeshjes, si në raste ashtu edhe në zotërimin e topit, por 'kuqezinjtë' nuk arritën të tundin rrjetin e ekipit kundërshtar."Sëmundja" e vjetër e Shqipërisë - Paaftësia për të shënuar gol - u vu re që në pjesën e parë të ndeshjes, kur kuqezinjtë ishin dominues, madje duke krijuar shumë raste për të shënuar, mirëpo nuk ishin të saktë përpara portës.Dy shanse shumë të mira i pati Salihi në minutat e para, ndërsa Rama rrezikonte me goditjet nga distanca. Në pjesën e dytë, Shqipëria vazhdoi të kontrollonte më shumë topin, por krosimet nga krahët prej Lilës dhe Agollit ishin vazhdimisht të pasakta, ndërsa Salihi nga pranë dhe Rama me një goditje nga larg iu afruan më shumë golit.Nga ana e tyre, vendasit krijuan më shumë vështirësi pas fraksionit të parë të lojës, veçanërisht me futbollistin Aloneftis, që detyroi Berishën në një grushtim shpëtimtar në një gjuajtje potente brenda zonës, pasi dribloi disa nga futbollistët tanë.Qipro gjithashtu mund të kishte shënuar drejt fundit, me një goditje dënimi nga 20 metra, që përfundoi ngjitur me shtyllën e majtë të Berishës. Gjithsesi, me këtë barazim, Shqipëria përfundon këtë grup me 11 pikë, duke lënë pas vetëm Qipron. Sërish rikthehemi në vendin ku jemi mësuar gjithmonë duke mos hedhur asnjë hap përpara në eleminatore.