Eliminatore për t’u harruar, Shqipëria e mbyll e parafundit

Përfundon me një barazim pa gola kualifikuesja e fundit e Brazil 2014, ajo përballë Qipros, zhvilluar këtë të martë në Nikosia.Kombëtarja jonë zhvilloi një lojë më të mirë dhe disa herë iu afrua golit, por vendasit rezistuan dhe përmirësuan lojën e tyre gradualisht, duke na vendosur disa herë në vështirësi në pjesën e dytë.Gjatë 45 minutave të para, ndeshja nisi shumë mirë për kuqezinjtë, me Salihin që shpërdoroi dy raste shumë të mira brenda tetë minutave të para dhe Ramën e Hykën që iu afruan disa herë golit në goditjet nga jashtë zone.Qipro rrezikoi një herë të vetme, në minutën e 34’, në një goditje standarte nga larg.Në pjesën e dytë, Shqipëria vazhdoi të kontrollonte më shumë topin, por krosimet nga krahët prej Lilës dhe Agollit ishin vazhdimisht të pasakta, ndërsa Salihi nga pranë dhe Rama me një goditje nga larg iu afruan më shumë golit.Nga ana e tyre, vendasit krijuan më shumë vështirësi pas intervalit, veçanërisht me futbollistin Aloneftis, që detyroi Berishën në një grushtim shpëtimtar në një gjuajtje potente brenda zonës, pasi dribloi disa nga futbollistët tanë.Qipro gjithashtu mund të kishte shënuar drejt fundit, me një goditje dënimi nga 20 metra, që përfundoi ngjitur me shtyllën e majtë të Berishës.Gjithsesi, me këtë barazim, Shqiperia përfundon këtë grup me 11 pikë, duke lënë pas vetëm Qipron. Në Nikosia, kombëtarja jonë krijoi rastet më të mira, por nuk mundi të fitojë pasi shpërdoroi shume raste të mira për shënim.