Schwarzenegger: Ronaldo i jashtëzakonshëm, është më i miri

Aktori i njohur Hollywoodian, Arnold Schwarzenegger e ka pranuar  se ai është një admirues i Cristiano Ronaldos, duke thënë se ai është në një formë të shkëlqyer.Portugezi ka shumë admirues, jo vetëm për lojën e tij e të jashtëzakonshme në fushë apo për look-un e veçantë që gjithmonë kthehet në trendin e kohës. Ai  pëlqehet edhe nga aktori i njohur Arnold Schwarzenegger, i cili hapat e parë në kinematografi i hodhi për shkak të trupit tepër të formuar me shumë muskuj. I ndodhur në Madrid për një konkurs bodybuilding që mban emrin e tij, Schwarzenegger shprehu hapur admirimin për portugezin, për të cilin tha se ka një fizik spektakolar."Trupi i Cristianos është fantastik, me forma të jashtëzakonshme dhe është e qartë që është një futbollist i madh".Ish guvernatori i Kalifornisë, i njohur në karrierë për rolet në filmat Konan Barbari apo Terminatori u pyet më pas nga Cadena Cope, nëse Cristiano Ronaldo do të ishte në gjendje të konkurronte përballë tij në kompeticionin prestigjioz të bodybuilding, Mr Olympia, ku Schwarzenegger ka fituar plot 7 herë."Nuk besoj se kjo gjë do t'i interesonte, pasi Cristiano synon të jetë futbollisti më i mirë në botë. Mua më interesonte suksesi në Mr Olympia. Janë dy sporte të ndryshme, por pa dyshim që Cristiano është në formë mjaft të mirë, duke patur parasysh se është futbollist".