Milani pas Adnan Januzajt
Adnan Januzaj është vënë në qendër të merkatos së janarit. Kjo pasi shqiptari me pasaportë belge akoma nuk ka rinovuar me Manchesterin.Kësisoj "djajtë e kuq" janë vënë para presionit të madh, pasi klubet më të mëdha në Europë, angleze, spanjolle por edhe italiane, janë mrekulluar nga cilësitë e Januzajt dhe janë gati t'i ofrojnë kontratë faraonike për ta patur në organikën e tyre.Së fundmi ka dalë në skenë edhe Milani, që kërkon ta joshë djaloshin me origjinë shqiptare që të veshë bluzën kuqezi, duke ndjekur shembullin e Juventusit, që më shumë se një vit më parë i rrëmbeu Sir Aleks Ferguson francezin Pol Pogba.Kampionët e Anglisë i kanë ofruar Januzajt 15 mijë stërlina në javë, plus 1.200 stërlina për ndeshje, plus 6000 të tjera për çdo takim të fituar, por me sa duket kjo ofertë nuk e kënaq menaxherin e lojtarët. Në këtë situatë kërkojnë të përfitojnë gjigantët e Europës, që janë gati t'i ofrojnë një kontratë më të majmë adoleshentit me pasaportë belge, ku sigurisht më të favorizuara janë ato angleze.Ndërkohë mbi Januzajn po ushtrohet presion edhe sa i përket zgjedhjes së tij rreth kombëtares që do të përfaqësojë në të ardhmen. Belgjika e kualifikuar në Botëror tashmë ia ka bërë ftesën, Shqipëria e pret prej kohësh, ndërkohë që një debat i mprehtë ka shpërthyer edhe në Angli mbi mundësinë e aktivizimit të tij me kombëtaren e tre luanëve.