Vlora shpall “Qytetar Nderi” Fatmir Limajn: Shqiptarët i bashkon një flamur

5 muaj pasi Këshilli i bashkisë së Vlorës e shpalli “Qytetar Nderi”, Nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj në vigjilje të pavarësisë ka marrë zyrtarisht titullin e akorduar në Vlorën e flamurit. Kryetari i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili dhe propozoi titullin në nderim të figurës së tij, në një ceremoni të organizuar enkas për këtë rast i ka dorëzuar titullin zotit.Limaj si një mirënjohje për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës, me motivacionin” Si figurë – simbol i përpjekjeve të popullit të Kosovës për pavarësi, simbol i heroizmit, shpirtit të lirë, demokratik e intelektual të popullit kosovar dhe një faktor i rëndësishëm në zhvillimet politike e diplomatike për finalizimin e statusit të Kosovës me shpalljen e Pavarësisë dhe njohjen ndërkombëtare të saj”.Vetë Fatmir Limaj gjatë fjalës së tij u shpreh i nderuar dy herë, për shkalljen e tij “Qytetar Nderi” i kryeqytetit historik të Shqipërisë, njëherësh edhe se ky titull i jepet në këtë përvjetor të shënuar për të gjithë kombin shqiptar.“Me qenë në Vlorë në vigjilien e 28 nëntorit dhe me gjet fjalët e duhura është shumë e vështirë në këtë kryeqytet historik të kombit shqiptar. Sot në këtë përvjetor me përkulje kujtojmë babain e kombit shqiptatr Ismail Qemaili, të gjithë ata baballarë që me 28 nëntor 1912 në Vlorë bënë në të njëjtën kohë dy akte, shpëtuan kombin shqiptar dhe u vu themeli i shtetit shqiptar. Shqiptarët i bashkon flamuri shqiptar pa dallim partie, krahine e ideje” tha Limaj.