MB plotëson vakancat në policinë rrugore, arsimi i lartë dhe mosha e re, kriteret bazë
Një ditë pas lirimit nga detyra të 88 efektivëve dhe oficerëve të policisë rrugore, Ministria e Brendshme ka sqaruar edhe proçedurat mbi punësimin e policëve të rinj rrugorë.Përmes një komunikate për mediat, MB sqaron se përzgjedhja e punonjësve të rinj në shërbimin e Policisë Rrugore të Tiranës është bërë nga një komision i përbërë nga drejtues të lartë dhe me eksperiencë të Policisë Rrugore, duke pasur parasysh 4 kritere kryesore: Arsimin dhe përgatitjen profesionale, vlerësimet e treguesve të punës, përgatitjen fizike dhe moshën e re dhe barazia gjinore.Më ndryshimet e bëra, mosha mesatare e këtij komisariati është ulur nga 47.4 vjeç që ishte deri dje, në 33.2 vjeç. Për nga arsimimi, oficerët e Rolit të Parë Drejtues janë të gjithë me arsim të Lartë në Akademinë e Rendit Publik dhe disa me arsim të lartë jopolicor në degët si: Inxhinieri mekanike, juridik, psikologji, etj.Sipas zyrës së shtypit të MB, deri tani efektivi i Komisariatit të Policisë Rrugore në kryeqytet është rinovuar me 6 oficerë të Rolit të Parë Drejtues dhe me 53 oficerë të Rolit të Parë Zbatues.Prej ditës së sotme të gjithë efektivat e rinj janë pajisur edhe me bazën e nevojshme materiale, përfshirë jelekët fosforeshentë dhe kanë nisur me ritëm të mirë punën sipas një plani masash për reduktimin e aksidenteve dhe ofrimin e një shërbimi cilësor për qytetarët.