PD: Militantë në administratë, larg duart nga 3 ligjet
Opozita i ka bërë thirrje sot kryeministrit Rama të mbajë duart larg tre ligjeve të miratuar me konsensus nga palët politike. Përmes një deklarate për mediat, nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Eduart Halimi, denoncoi atë të cilin e cilësoi përndjekje të administratës publike, spastrimin politik të saj dhe zëvendësimin e stafeve profesionale me listat e militantëve politikë që kanë aplikuar në selinë e PS-së.“Ditët e fundit qeveria ka paralajmëruar ndërhyrjen tek ligji “Për statusin e nëpunësit civil”, që hyn në fuqi më 1 tetor 2013, me qëllim shtyrjen e këtij afati. Opozita dhe mbarë qytetarët, e dinë se kjo lëvizje bëhet për t’i hapur rrugë përndjekjes së administratës publike, spastrimit politik të saj dhe zëvendësimit të stafeve profesionale me listat e militantëve politikë që kanë aplikuar në selinë e PS-së. Ne nuk mund të pajtohemi dhe nuk mund të japim pëlqimin tonë për këtë cënim të rëndë të shtetit ligjor, të statusit të nëpunësit publik dhe të kompromisit politik, që ka qenë bazë e reformës së sistemit për një administratë të pavarur dhe profesionale” tha ai.Sipas Halimit shkelja e ligjit të nënpunësit civil është kërcënim i hapur dhe brutal i bashkëpunimit politik dhe nëpërkëmbjes dhe zhvlerësim i konsensusit politik. Ndërkaq ai garantoi se opozita do t’i mbrojë me forcë arritjet e kompromisit, do t’i shërbejë deri në fund integrimit, shtetit ligjor dhe mirëqenies së shqiptarëve .“Por, kjo tentativë, është më shumë sesa kërcënim për nëpunësit e këtij vendi. Kjo tentativë, është kërcënim i hapur dhe brutal i bashkëpunimit politik dhe nëpërkëmbjes dhe zhvlerësim i konsensusit. Ligji për Statusin e Nëpunësit Publik, është produkt i bashkëpunimit mes palëve, është një nga 3 ligjet me të cilat Rama, e bllokoi integrimin për më shumë se 2 vjet dhe pengoi marrjen e statusit të vendit kandidat.Tentativa e paralajmëruar sot, dëshmon qartë, se për të mundësuar spastrimin politik të administratës, Rama është i gatshëm të zerojë konsesusin e arritur dhe të rikthejë konfliktin politik, tashmë si qeveritar kundër opozitës. Partia Demokratike, i bën thirrje publike Ramës! Larg duart nga 3 ligjet! Mos e nëpërkëmb konsensusin e arritur. Mos vazhdo rrugën e konfliktin politik. Mos shkelmo ëndrrën e shqiptarëve për mirëqenie dhe integrim. Opozita do t’i mbrojë me forcë arritjet e kompromisit, do t’i shërbejë deri në fund integrimit, shtetit ligjor dhe mirëqenies së shqiptarëve” përfundoi ai.