Vendimet e para antitreg të Ramës
Deri sot, ajo që është e sigurt që fituam me fitoren e të majtës, është mesazhi që na dha votuesi shqiptar, i cili sigurisht surprizoi për keq të gjithë ata që mund edhe të ishin përgatitur për një rotacion, por kurrsesi për një opozitë me numra të vegjël të së djathtës në Parlamentin shqiptar. Deri para zhvillimit të zgjedhjeve nuk mundëm të besonim apo edhe të parashikonim qartë me mjete të sondazhit se çfarë realisht do të zgjidhte votuesi shqiptar, ndonëse këtu mund të bëjnë përjashtim disa zëra të paktë, qe edhe flisnin për një probabilitet të tillë, por ato nuk bënë bujë para zgjedhjeve. E sigurisht ndonëse shumë mund të argumentohet për arsyet e këtij rezultati një gjë mbetet e vërtetë dhe faktike në të gjitha analizat, votuesi shqiptar me votën e tij na tregoi që më së shumti kërkon mirëqenien e tij individuale dhe atë nuk pret ta ketë vonë në kohe, por e do tani, me çdo kusht. Tek ai është e vështirë të kërkosh të mirëpresë dhe kuptojë një tablo të gjerë të situatës, sepse me të drejtë kërkon të mirën e tij personale sot. Në emër të kësaj të mire personale, e cila lidhet me sigurinë në punë, me përfitimin falas të sa më shumë shërbimeve apo edhe me përfitime më të menjëhershme në formë shpërblimesh apo tjetër, votuesi shqiptar u drejtua drejt dy forcave politike të majta, të cilat nga njëra anë ngritën fort shpresën se do të mund t’i ndryshonin mirëqenien një ditë e më parë me ulje taksash e shërbime të të gjitha llojeve falas dhe, nga ana tjetër, me forcën tjetër politike, e cila kishte krijuar tashmë në terren, nëpërmjet bashkëqeverisjes me demokratët, një atmosferë të “të mbaruarit punë konkretisht”.Tashmë koalicioni i majtë është fitues dhe është ulur në karrigen e pushtetit jo më si politikë tribunash dhe mediash, por si një politikë zhvillimi për të bërë realitet ato premtime aq shpresëdhënëse, të cilat edhe atëherë kur proklamoheshin me të madhe, kurrë nuk u argumentuan se si do të realizoheshin konkretisht. Asnjëherë të vetme nuk u mund të argumentohej një shifër e programit të së majtës pa rënë ndesh dhe pa qenë kontradiktore me një tjetër shifër po të programit të tyre. Kështu ndodhi me punësimin dhe shifrën e tij, kështu ndodhi me uljen e taksave, që binte ndesh me të ardhurat në buxhet, kështu ndodhi me rritjen e buxhetit të arsimit dhe të shëndetësisë, duke premtuar njëkohësisht dhe uljen e borxhit e të tjera e të tjera. Edhe atëherë, edhe sot mendoj që do duhej një magji për të bërë realitet ato që thuheshin e trumbetoheshin; Edhe atëherë, edhe sot jam e bindur që mbeten vetëm dy rrugë ose mosrealizimi i tyre ose bërja e krejt të kundërtës së atyre qe do të realizonte vetëm disa prej përfundimeve të marra përsipër në fund të mandatit. Por, nëse tabloja do të ishte thjesht që të majtët po proklamonin një gjë tjetër vetëm për të vjelë vota dhe në mendje kishin që do të bënin diçka tjetër, kjo deri diku do të ishte vetëm gjysma e të keqes, druhem që nuk paska qenë kështu. Në mbledhjen e parë të qeverisë “Rama” ishin tri vendime të marra. Sigurisht të tria shumë të bujshme, Rama e ka pasur absolutisht gjithmonë aftësinë të bëjë bujë dhe të bësh vetëm bujë në opozitë, patjetër që është një vlerë e shtuar, por është katastrofike nëse ndodh kur je në pozitë. Për sa u përket dy vendimeve që lidhen me foton e Presidentit të Republikës dhe atë mbi Kodin e Etikës, nuk do të fokusohem në këtë artikull, do ndaloj te vendimi që çon në ndalimin e importit të mbetjeve si një vendim që prek palcën e diskutimit dhe që përfaqëson kalimin nga politika në fushatë në politikë vendimmarrëse për jetën e vendit. Ky vendim ka për qëllim të ndalojë importin e mbetjeve në Shqipëri, e sigurisht një njeri që nuk e njeh fushën apo nuk është ekspert në ekonomi dhe reagon si qytetar, sigurisht në moment të parë do ta duartrokasë e do të kënaqet se mendon fare thjesht e shkurt që s’do të kemi më edhe mbetje nga jashtë në këtë vend, do të përballojmë vetëm ndotjet tona. Dhe po në pamje te parë ashtu është. Por nëse gjërat do të ishin vetëm ato që duken në sipërfaqe dhe në pamje të parë, sigurisht në këtë botë s’do të kishte nevojë as për profesionistë, as për dije të thelluara e as për eksperiencë, por jo, realiteti është i kundërt, gjërat duhen njohur në thellësi dhe më pas të ngremë gjykime se cilat nuk na kthehen në më të dëmshme dhe më të rrezikshme. Kështu, importi i mbetjeve dhe ripërpunimi i tyre është një industri më vete që ka mijëra të punësuar, që paguan taksa në buxhetin e shtetit dhe realizon riciklimin dhe ripërpunimin e mbetjeve për një ripërdorim tjetër të tyre apo asgjësim të paripërpunueshmeve. Kjo industri ka qenë për një kohë të gjatë e atakuar nga aktivistë të shoqërisë civile, të cilët me të drejtë ngriheshin për një qëllim të madh në shërbim të qytetarit, mbrojtjen e mjedisit. Argumenti i madh që mbeti atëherë midis aktivistëve dhe mbrojtësve të kësaj industrie, ishte që aktivistët mbështeteshin mbi tezën që, ndonëse plot vende edhe të Bashkimit Europian e kane këtë industri dhe ajo punëson njerëz e sjell të ardhura e madje mbron ambientin, për ta në Shqipëri nuk ekzistojnë masa mbrojtëse të cilat të ndalonin të hynin në Shqipëri edhe mbetje të rrezikshme, sepse sigurisht për sa u përket mbetjeve të tjera, ato janë të njëjtat që ne hedhim në koshat e plehrave çdo ditë të jetës sonë. Pra, në thelb, ata treguan mosbesimin ndaj forcës kontrolluese të shtetit shumë më teper sesa argumentuan se mbetjet nuk duhet të importoheshin, po ashtu në kërkesat e tyre theksohej me forcë që mbetjet duhet të ishin brenda standardeve të Bashkimit Europian. Qeveria “Rama”, në mbledhjen e parë të saj, jo vetëm që u tregua më ekstreme edhe se vetë shoqëria civile, gjë që është absurde për një qaverisje, por njëherazi bëri të qartë duke vetëpranuar që nuk ka aftësinë dhe kapacitetet e duhura për të kontrolluar se çfare hyn në kufijtë shqiptarë, dhe, meqë është kështu e meqë njëherazi kjo bën edhe bujë për një publik që nuk e njeh çështjen, më mirë ta heqin fare importin e mbetjeve!!!!!!!Por kjo “më mirë” dhe kjo “për bujë” janë sipërfaqja e një dëmi e një më të keqe reale, që gjendet në brendësi të kësaj vendimmarrjeje. E pra, aktualisht në Shqipëri ka kompani të cilat riciklojnë dhe ripërpunojnë mbetjet, ndër të cilat mundet të ketë edhe nga ato që nuk i kryejnë këto procese brenda standardeve. Them mundet thjesht për të qenë korrekt deri në fund, se asnjë diagnozë nuk rezulton të jetë bërë nga qeveria aktuale se cilat janë dhe ku e çfarë dëmi shkaktojnë. Por po ashtu, sigurisht që ka ndër to që punojnë brenda standardeve të kërkuara ose, edhe më tej, që kanë kapacitetet të arrijnë edhe standarde më të larta nëse u kërkohet, të cilat sërish nuk dihet që qeveria aktuale t’i ketë identifikuar. Pra, brenda këtij sektori apriori ka kompani që kanë standarde dhe mund të arrijnë të tjera më të larta dhe mund të ketë të tjera, që nuk kanë dhe as mund të arrijnë. Të gjitha këto janë të mundshme. Ajo që dimë me siguri, është se asnjë diagnozë e tillë nuk u bë para vendimit të mbledhjes së qeverisë. Por, nga ana tjetër, ajo që nuk dihet gjerësisht, është se përgjatë ndërtimit të strategjive për zhvillimin e sektorëve për 7-vjeçarin e ardhshëm 2014-2020 me Bashkimin Europian, ndërsa diskutoheshin përparësitë dhe nevojat për financim nga BE, një nga sektorët me të diskutuar për problematikën e madhe që ka, ishte mjedisi. Në këto diskutime edhe nga pala europiane u vu theksi në rritjen e cilësisë dhe standardit të riciklimin dhe përpunimit të mbetjeve, pasi zgjidhja nëpërmjet landfild-eve ka rezultuar shumë pak eficiente. Arsyet pse landfield-et, pra vendet e mëdha ku grumbullohen dhe digjen mbetjet, janë jo eficiente, lidhej me disa faktorë kyçë: - Landfield-et janë të kushtueshme për t’u ngritur; - Kostoja e funksionimit të tyre është e lartë; - Kjo kosto duhet të paguhet nga pushteti vendor, bashkitë dhe komunat; - Disa prej landfield-eve gjenden midis dy hapësirave administrative të pushtetit lokal dhe asnjëra nuk merr përgjegjësinë; - Pushteti lokal kërkon fonde nga pushteti qendror, ndërkohë që është decentralizuar dhe disa fonde duhet t’i krijojë vetë nga qytetari, sepse ky është dhe kuptimi i decentralizimit- Landfild-et nuk sjellin të ardhura, por i kushtojnë buxhetit të një vendi. Por, ç’është më e rëndësishme, sot një pjesë e madhe e tyre nuk funksionojnë, për shkak se bashkitë e komunat nuk i paguajnë këto kosto. Për të gjitha këto e ndoshta më shumë se këto, riciklimi është një alternativë eficiente, gjithmonë si të gjitha alternativat të cilat duan menaxhim. Në këto kushte, marrja e vendimit për ndalimin e importit të tyre është një vendimmarrje që nuk ka marrë parasysh problematikën e zgjidhjes së problemit të mjedisit realisht. Mund të thuhet që kompanitë e riciklimit duhet të mjaftohen me mbetjet tona, por ky është një argument plotësisht profan nga pikëpamja ekonomike. Se një industri domosdoshmërisht kërkon një treg në rritje, jo një treg në zbritje, si për të rritur produktivitetin e vet dhe performancën e kostove dhe të cilësisë së produktit të vet. Në marrjen e këtij vendimi nga qeveria “Rama”, nuk dihet se cilat janë humbjet financiare që nuk i shkojnë më buxhetit, sa vende pune mbyllen, sa të ardhura nuk shkojnë në disa familje dhe, mbi të gjitha, ky vendim është një qëndrim i problemit në pozita kundër tregut, kundër atyre që punojnë e kundër atyre që sot jetojnë me atë punë. Shteti, qeverisësit sigurisht duhet të mbrojnë qytetarin, por, nëse në emër të një “show” në fakt jemi duke e goditur dhe varfëruar qytetarin, nëse në emër të një “show” ata që drejtojnë këto kompani dhe ata që punojnë në to, nuk konsiderohen dhe ata qytetarë të këtij vendi, kjo është e rrezikshme dhe shumë e dëmshme. Është folur aq shumë dhe ka ngjitur aq shumë në veshët e njerëzve diskursi kundër një shteti që privatizon dhe u merr “pasuritë” shqiptarëve, një diskurs i bukur për foltore parlamenti, por që aq rrallë u thotë shqiptarëve shifra dhe të dhëna reale se sa u është reduktuar vlera asteteve që menaxhon publikja e se si shqiptarët nuk fitojnë më thuajse asgjë nga zhvlerësimi që u ndodh atyre aseteve. Kjo sepse sigurisht nuk ka ende një konsolidim të menaxhimit të aseteve publike me eficiencë, por sigurisht që ka ende një iluzion se jemi pronarë të gjithë të së gjithës e, në fund, dalim pronarë të asgjësë. Nuk mund të zhdukësh një sektor të industrisë, sepse nuk monitoron dhe kontrollon dot kufijtë. Nuk mund të zhdukësh një degë të industrisë sepse nuk ke aftësi ta kontrollosh. Për një paaftësi të shtetit s’mund të shkatërrosh tregun e punës dhe të kapitalit, i cili është i vetmi që mund ta çojë këtë vend në një mirëqenie ekonomike. Flitet pa fund për punësime në shtet, ndërkohë që barrën reale të punësimit dhe të ardhurat në buxhet i krijon kapitali privat. Mbi 80% e ekonomisë ndërtohet nga kapitali privat, i cili sigurisht plot herë nuk ka pamjen e bukur dhe të ëmbël, apo ndoshta edhe jo intelektuale që do të donim, por nuk kemi aspak luksin ta dërrmojmë as ta shkelmojmë pa diagnostikuar mirë cilat janë mundësitë dhe pasojat. Sot duhet të kuptojmë qartë që s’bëhet vendi duke urryer e duke mos menduar dy herë për tregun dhe ekonominë, nëse jemi anti-treg do të rezultojë të jemi anti–shtet. Nga ana tjetër, ndonëse më e pakta në këtë çështje ngrihet pyetja: kush i kompenson këto biznese, që deri sot kanë punuar në kushte të ligjshme, dhe kanë zgjedhur një sektor, i cili ekziston në tregun europian dhe nuk është një prodhim “alla shqiptar i çuditshëm”. Ka shumë forma për ta zgjidhur këtë çështje, shteti mund edhe të jetë partner i këtyre ndërmarrjeve dhe, njëkohësisht, të kontrollojë sa nga jashtë dhe brenda sektorin, se sigurisht nuk do të zgjidhja kurrë ndotjen e mjedisit ku jeton edhe fëmija im, në këmbim thjesht të rritjes ekonomike. Por absolutisht problemi nuk është i tillë dhe, nëse respektohen kriteret, kthehet në të ardhur dhe jo në dëm të vendit. Uroj shumë që realisht të më përmbushet intuita, që qeverisja e majtë për të qenë e suksesshme do të duhet të bëjë të kundërtën e asaj që ka deklaruar bujshëm, e sigurisht uroj shume që “show” i fushatës të mos vijojë edhe në qeverisje. Përndryshe, realisht nuk do dimë sa i rëndë do të jetë ndëshkimi tjetër që do të japë votuesi shqiptar.Burimi : panorama.com.al