Meta: Kuvendi, bashkëpunim mes mazhorancës e opozitës
Kuvendi do të kontribuojë pozitivisht në drejtim të rritjes së klimës bashkëpunuese mes mazhorancës dhe opozitës. Kështu është shprehur Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta gjatë takimit që ka zhvilluar me Ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Cannon.Sipas Metës, opozita duhet të luajë një rol të rëndësishëm në miratimin e reformave kyçe për vendin, me qëllim forcimin e stabilitetit dhe progresit në rrugën e integrimit evropian.Ndërsa Ambasadori Cannon i shprehu Kryetarit të Kuvendit urimet më të përzemërta për detyrën e Kryetarit të Kuvendit dhe e siguroi atë për mbështetjen e plotë dhe të vazhdueshme të vendit të tij si në planin dypalësh, ashtu edhe në drejtim të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.“Kryetari i Kuvendit, z. Meta, duke e falënderuar ambasadorin e Britanisë së Madhe, si një partner shumë i rëndësishëm i Shqipërisë, shprehu vullnetin e tij të plotë për intensifikim të mëtejshëm të marrëdhënieve ndër-parlamentare midis dy vendeve dhe të grupeve të miqësisë” njofton Kuvendi.Sipas njoftimit, Ambasadori Cannon mbështeti idenë për intensifikimin e marrëdhënieve ndër-parlamentare dhe u shpreh se Kryetari i Dhomës së Komunëve në Parlamentit britanik, z. John Bercoë dhe Kryetarja e Dhomës së Lordëve, Baroneshë D’Sousa kanë shprehur interes për të vizituar Shqipërinë dhe po punohet për realizimin e këtyre vizitave të nivelit të lartë.