Naço pret përfaqësues të BB: Vazhdim të projekteve të përbashkëta të LAMP

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, priti sot në një takim përfaqësues të Bankës Botërore, z. Gavin Adlington, znj. Kathrine Kelm dhe znj. Drita Dade.Në fokus të diskutimeve ishte bashkëpunimi për vazhdimin e projekteve të përbashkëta të LAMP, projekt që konsiston në tre komponentë kyçë: Sigurimin e Zotërimit dhe Regjistrimit të së Drejtës të Pasurive të Paluajtshme; Menaxhimin e Tokës Urbane; dhe Zhvillime të Mëtejshme të Politikave të Tokës.Përfaqësuesit e BB vunë në dijeni Ministrin mbi objektivat specifike të projektit, që janë:përmirësimi i efiçencës dhe efektiviteti i administrimit të tokës dhe menaxhimit urban, nëpërmjet forcimit të sigurisë së pronësisë, përmirësimit të planifikimit urban, kontrollit të menaxhimit dhe zhvillimit të tokës.Marrëveshjet kryesore që u trajtuan në bisedimet me përfaqësuesit e Bankës Botërore ishin: Marrëveshja Financiare me Shoqatën Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Marrëveshja e Huase me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe Marrëveshja e Grantit Suedez dhe Japonez që bashkëfinancojnë Projektin LAMP.Këto marrëveshje me Bankën Botërore kanë hyrë në fuqi më datë 23 Korrik 2007, ndërsa afati origjinal i mbylljes së Projektit ishte 31 Dhjetor 2011, por tashmë është shtyrë më 30 Qershor 2014.Ministri Naço, gjithashtu, i vuri në dijeni përfaqësuesit e Bankës Botërore për punën e bërë nga Ministria e Drejtësisë gjatë kësaj kohe, konkretisht portali online “Stop korrupsionit në drejtësi”, i lançuar nga Ministria e Drejtësisë në kuadër të strategjisë anti- korrupsion.