Rama takime me Blair dhe Presidentin e BB: Njësi speciale për prioritetet

Kryeministri Edi Rama, gjatë qëndrimit të tij në New York ka zhvilluar një takim me ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe me Presidentin e Bankes Boterore Jim Kim. Në takimin e zhvilluar mes Presidentit të Bankës Botërore, Kryeministrit të Shqipërisë dhe ish-kryeministrit britanik u diskutuan sfidat dhe prioritetet e qeverisë së re.Pas këtij takimi Kryeministri Rama u shpreh se shumë shpejt do të ngrihet një strukturë e posaçme për prioritetet e qeverisë shqiptare.“Është shumë domethënëse që Presidenti i Bankës Botërore është drejtpërdrejtë i interesuar për të mbështetur Shqipërinë falë programit dhe axhendës së qeverisë sonë dhe që së bashku me kryeministrin Blair ne do të vëmë në jetë shumë shpejt një strukturë të posaçme të arritjes së rezultateve dhe të kalimit të çdo pjesë të programit në procesin e realizimit dhe të përkthimit në rezultate.Ky është një moment i rëndësishëm për Bankën Botërore që me një grup liderësh rreth e rrotull planetit po përpiqet të fusë këtë eksperiencë të re që do të jetë dhe eksperienca e qeverisë së re shqiptare”tha Rama.Nga ana e tij, ish kryeministri Tony Blair pasi e cilësoi të shkëlqyer takimin, theksoi se qeverinë e presin sfida të mëdha.“Patëm një takim të shkëlqyer sot me Kryeministrin Rama dhe me Bankën Botërore për të parë sesi mund ta ndihmojmë qeverinë e re shqiptare për të sjellë ndryshimin që duan të shohin njerëzit në Shqipëri. Vendin e presin sfida të mëdha dhe ka shumë punë për të bërë. Kryeministri ka një program shumë energjik dhe të vendosur dhe mendoj se fakti që Presidenti i Bankës Botërore ka ardhur për ta takuar atë dhe për t’i thënë se kemi për t’i dhënë mbështetjen tonë të plotë Shqipërisë, na jep shpresë dhe diçka me të cilën mund të punojmë në të ardhmen. Mendoj se takimi ishte i shkëlqyer, konstruktiv, shumë i rëndësishëm”deklaroi Blair.