Zhvendosen shtyllat e linjës së tensionit të lartë, Basha: Tjetër premtim i mbajtur

Shtyllat dhe linjat e tensionit të lartë që prej 15 vitesh shtriheshin përgjatë bulevardit  “Zogu i Parë”, nga sot do ti përkasin të shkuarës. Pas zhvendosjes nën tokë të linjës së tensionit të lartë, Bashkia e Tiranës  ka nisur sot zhvendosjen e shtyllave.

I premtuar dy vite më parë nga kryebashkiaku Basha në përgjigje të shqetësimit shumëvjeçar të banorëve të zonës, sot ky premtim është një realitet i prekshëm.

Kryebashkiaku Basha ka ndjekur nga afër ketë proces i cili është kurorëzimi i mbajtjes së një premtimi dhe fillimi i realizimit të një premtimi edhe  më të rëndësishëm, ndërtimin e bulevardit të ri.

“Sot jemi të gjithë dëshmitarë dhe besoj se të gjithë ndajmë gëzimin si banorë të kryeqytetit për çmontimin e linjës së tensionit të lartë. Kjo linjë tashmë kalon nën tokë me parametra moderne, bashkëkohore dhe pas kalimit dhe kolaudimit të linjës nëntokësore të tensionit të lartë, sonte nis procesi i shumë dëshiruar i largimit edhe të simboleve të kësaj linje, shtyllave të tensionit të lartë në mes të qytetit të Tiranës. Mbajmë premtimin që u kemi dhënë banorëve të bulevardit “Zogu i Parë” dhe natyrisht është vetëm fillimi i mbajtjes së një premtimi shumë më të rëndësishëm, ndërtimit të bulevardit të ri, që do të dyfishojë këtë arterie të rëndësishme të jetës urbane, qytetare, ekonomike dhe kulturore të qytetit të Tiranës, bulevard i cili ka nisur punimet javën e kaluar dhe do të përfundojë brenda një viti e gjysmë”-u shpreh z. Basha.

Për shkak të kompleksitetit të punës, për futjen nën tokë të kësaj linje, Bashkia e Tiranës mori një ekip të specializuar zvicerian, si dhe bashkëpunoi me OST-në. Linja e re ka një gjatësi prej 2.3 km, është ndërtuar me parametra bashkëkohorë dhe i përgjigjet zhvillimit perspektiv të rrjetit të rajonit.

 

Prononcimi i plotë i zotit Basha:

“15 vite më përpara, kur u përurua linja e tensionit të lartë që kalon mes përmes qytetit të Tiranës pati dy sentimente në qytet, i pari sigurisht një investim i cili po i vinte në ndihmë situatës energjetike të furnizimit të banorëve të kryeqytetit me energji elektrike dhe i dyti një shqetësim i madh jo vetëm estetik, apo urbanistik por në veçanti një shqetësim për pasojat e një linje të tensionit të lartë mes qytetit për banorët në këtë bulevard dhe sigurisht edhe për kalimtarët që e kanë këtë një nga arteriet kryesore të përditshme dhe të përnatshme të qytetit të Tiranës.

Sot jemi të gjithë dëshmitarë dhe besoj se të gjithë ndajmë gëzimin si banorë të kryeqytetit për çmontimin e linjës së tensionit të lartë. Kjo linjë tashmë kalon nën tokë me parametra moderne, bashkëkohore dhe pas kalimit dhe kolaudimit të linjës nëntokësore të tensionit të lartë sonte nis procesi i shumë dëshiruar i largimit edhe të simboleve të kësaj linje, shtyllave të tensionit të lartë në mes të qytetit të Tiranës.

 Unë dua të falënderoj firmën zbatuese e cila brenda një kohe shumë të shkurtër bëri realitet projektin e hartuar me kompetencë, profesionalizëm dhe përkushtim nga skuadra e përbashkët e Bashkisë së Tiranës dhe e OST-së. Falënderoj drejtorin z. Arben Ibro dhe të gjithë stafin e OST-së, natyrisht stafin e përkushtuar të Bashkisë së Tiranës që brenda një kohe shumë të shkurtër hartoi projektin dhe bëri të mundur ekzekutimin e tij.

Është një moment, një ditë e veçantë në historinë e kryeqytetit tonë, të largojmë një kujtim prej më shumë se një dekade, prej 15 vitesh, as estetik dhe as të shëndetshëm, nga zemra e kryeqytetit tonë.

Mbajmë premtimin që u kemi dhënë banorëve të bulevardit “Zogu i Parë” dhe natyrisht është vetëm fillimi i mbajtjes së një premtimi shumë më të rëndësishëm, ndërtimit të bulevardit të ri, që do të dyfishojë këtë arterie të rëndësishme të jetës urbane, qytetare, ekonomike dhe kulturore të qytetit të Tiranës, bulevard i cili ka nisur punimet javën e kaluar dhe do të përfundojë brenda një viti e gjysmë”-u shpreh kryebashkiaku Basha.