Çështjet pezull me Greqinë? Bushati: Zgjidhje ndërkombëtare

Ashtu siç eshte kishte premtuar gjatë fushatës së zgjedhjeve, qeveria e majtë shumë shpejt do të nisë strukturimin e shërbimit diplomatik. Një fakt i tillë është konfirmuar edhe nga numri 1 i diplomacisë në vend, Ditmir Bushati, i cili në një intervistë për Zërin e Amerikës e renditi ndër detyrat kryesore të institucionit që drejton menjëherë pas marrjes së statusit që sipas të gjitha gjasave pritet të merret në dhjetor. Lidhur me këtë projekt të qeverisë shqiptare, Bushati tha se po bashkëpunohet ngushtë me Baroneshën Ashton.“Shkurtimi i numrit të Ambasadave do ishte menu e thjeshtësuar për të racionalizuar shërbimin e ambasadave. I gjithë shërbimi me jashtë duhet të ristrukturohet, me ndihmën e Ashton. Racionalizimi i prezencës sonë në botë, do të duhet të shikohet me sy sa më gjakftohtë”, deklaroi Bushati.Pavarësisht se dhjetori është shumë pranë, Bushati e vlerësoi si një objektiv të realizueshëm marrjen e statusit kandidat, ku shprehu angazhimin e qeverisë për të punuar fort në përmbushjen e detyrave të lëna nga përfaqësuesit e lartë europianë sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas Bushatit sfida e vërtëtë mbetet afrimi i datës për hapjen e negociatave me BE.“Ky është objektiv i realizueshëm pavarësisht faktit se dhjetori është pranë nesh. Arritja e statusit te vendit kandidat përbën objektiv madhor për qeverinë që bëj pjesë. Është çështje e mundshme dhe do dedikoj të gjitha kapacitet për të përmbushur si objektiv. Objektivi konkret është fillimi i i bisedimeve për anëtarësim Rekomandimi i KE për fillimi ne bisedimeve me Shqipërinë dhe ne do punojmë për të afruar sa më shumë këtë datë", tha ai.Ministri i Jashtëm foli edhe për marrëdhëniet me fqinjët, ku theksoi se qeveria “Rama” është mjaft e qartë në qëndrimin e saj për të përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët, bazuar në moton “zero probleme me fqinjët” . Duke iu referuar hapjes së bisedimeve për marrëveshjen e kufijve detarë me Greqinë, Bushati tha se qeveria ka disa terma të mbartur me dekada, të cilat duhet të bëhen pjesë e një diskutimi serioz, që mban në vëmendje të drejtën ndërkombëtare, politikën e fqinjësisë së mirë dhe të ardhmen tonë në BE.“Për fat të keq me Greqinë kjo periudhë është konsideruar nga një menaxhim krizash, ne duam që ta ngrejmë ambicien edhe në raport me Greqinë dhe të hapim një kapitull të ri. Kjo qeveri do të jetë shumë e qartë për të përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët. Një nga motot e politikës sonë të Jashtme, është zero probleme me fqinjët. Qeveria jonë në raport me Greqinë ka disa terma të cilat janë mbartur me vite apo me dekada, të gjithë këto çështje do të bëhen pjesë e një diskutimi serioz, që mban në vëmendje të drejtën ndërkombëtare, politikën e fqinjësisë së mirë dhe të ardhmen tonë në BE. Ka një gadishmëri të plotë për të hapur një kapitull të ri me Greqinë, duke respektuar parimet e së drejtës ndërkombëtare.”Teksa kryeministri Rama qartazi e ka nominuar Turqinë si një partner strategjik të Shqipërisë me të cilën qeveria e tij do nisë një bashkëpunim intensiv të panjohur më pare, Bushati tha se marrëdhëniet qoftë me Greqinë, Turqinë, apo Italinë nuk përjashtojnë njërin apo tjetrin vend, por janë plotësuese .“Në rajon qeveria ka nominuar si marrëdhënie më strategjike me Italinë, Greqinë, Turqinë. Dhe vizitat tona më parë u bënë në këto vende. Turqia është një nga vendet mbështetëse për anëtarësimin në NATO, që ka vend specifik në Ballkan, është urë lidhëse me Lindjes së Mesme dhe Ballkanit Perëndimor, një fuqi investimi, në këtë kontekst duam intensifikim marrëdhëniesh me Turqinë. Ka pasur spekulime, sikur Italia, Greqia, Turqia po rivalizojnë njëra-tjetrën, por marrëdhëniet tona nuk përjashtojnë njërin apo tjetrin vend, por janë plotësuese", theksoi Bushati.Shefi i diplomacisë shqiptare ka vlerësuar më tej se në këto drejtime, dikasteri i tij do të ketë asistencën e Shteteve të Bashkuara, e cila do të ofrojë taktika të reja në marrëdhëniet me jashtë.“Po i kërkojmë ekspertizë partnerit tonë strategjik. Kemi një realitet të ri në rajon. Pas anëtarësimit të Kroacisë në BE, Shqipëria është i vetmi vend anëtarë i NATO-s, dhe kërkohet një rol i ri. Kemi një situatë të re në rajon pas marrëveshjes Serbi- Kosovë, e cila imponon një realitet të ri. Së katërti ka pasur situata të ndryshme gjatë kësaj kohe, dhe nuk ka patur një nivel bashkëpunimi, apo ekspertimi me të, që kanë të bëjnë me rajonin. I kam kërkuar zyrtarisht ekspertizë Shteteve të Bashkuara që të kemi një asistencë të vazhdueshme që do të na ndihmojë jo vetëm për të patur një bashkëpunim strategjik, teknika të reja të diplomacisë publike por edhe për një projektim sa më të mirë të shqiptarëve në rajon.”- tha Bushati, i cili theksoi edhe luhatjet në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, për shkak të rritjes së retorikave nacionaliste kohët e fundit.