PD, Imami: Rama mesazh spastrimi, politikë konfkliktuale me opozitën

Të qënurit në opozitë duket një fillim pak i vështirë për deputetin e Partisë Demokratike, Arben Imami. Në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News me drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj, Imami deklaroi se e majta në qeverisje po ndjek një politikë konfliktualiteti që është në dëm të vendit.“Ne nuk kemi kontestuar programin e PS, do ishte normale, problemi ynë ka qenë se nuk ka pasur program. Programi u zëvendësua nga Kryeministri i ri me fjalë sulmuese kundër opozitës, që nga 1 milionë shuplakat e deri tek “ju se keni njohur akoma dhunën e vërtetë”. Kjo është një politikë konflikti. Ne kemi treguar maksimumin e moderacionit sa ishim mazhorancë. Politika e konfliktit është e papranueshme, politika e dhunimit të një institucioni si parlamenti dhe opozita është e papranueshme, ajo e s’pastrimit masiv po ashtu. Është një politikë urrejtje dhe një mënyrë për të qeverisur pa program. Rama po përpiqet të vendosë një kulturë të re politike” tha ai.Për deputetin demokrat e gjithë ajo çfarë po bën Edi Rama deri më tani në krye të qeverisë përcjell vetëm mesazhin e spastrimit.“Rama bëri mbledhjen e parë të qeverisë dhe mori një vendim për të varur Ismail Qemalin pas shpinës së tij dhe mënjeherë faqosi te një gazetë “Erdhi Ismail Qemali, ikin plehrat”. Vendimi tjetër që mori ishte prapë për plehrat, lufta që po bën për bodrumet e Kryeministrisë është gjithmonë e lidhur me pastrimin e plehrave.Ka një të vërtetë që në politikë komunikohet me mesazhe, shenja, simbole jo gjithmonë me tekst. Ai po përcjell mesazhin sikur ka ardhur të pastrojë plehrat. Ne kjo nuk na ofendon, ai po bën një fushatë mediatike në funksion të kësaj, por nuk është rruga e duhur, çon në konflikt. Moderacioni është forcë, ne do të përiqemi t’i shërbejmë vendit për të realizuar interesa të mëdha të tij, sëpari integrimin ku shqiptarët janë të gjithë të bashkuar në këtë drejtim. Ne vjet në këtë kohë arritëm të miratonim të gjitha kërkesat deri tek tre ligjet, ato u miratuan, zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme. Normalisht statusi i vendit kandidat është i dhënë, ne do bëjmë gjithçka që ky status i marrë nga qeveria e PD të formalizohet brenda këtij viti, por politika e konfkliktit është e papranueshme. Nuk mundet të shkojmë në Europë pjesërisht, ne do mbështesim integrimin sikundër po i kundërvihemi në rrugë politike këtij qëndrimi, kësaj urrejtje të akumuluar ndër vite nga mazhoranca e re dhe kryetari i saj. Spastrimi i administratës po kryhet nën këtë frymë të përgjithshme, për të vënë përpara këdo. Ne kemi nevojë të përmirësojmë politikën e vendit, nivelin e komunikimit dhe nuk ka arsye të kthehemi vite prapa për spastrime masive. Administrata publike është një investim i taksapaguesve shqiptarë dhe BE po ashtu dhe për këtë s’mund të biem dakord. E kemi bërë prezent qëndrimin tonë” tha më tej Imami.Imami ka folur dhe për strategjinë që PD dhe opozita në terësi do të ndjekin në vijim, sikundër ka komentuar edhe punën e kryetarit të ri të PD si dhe rolin që ish-lideri i së djathtës Berisha do vazhdojë të ketë në PD.“Do jemi një opozitë që nuk pranon çdo gjë që do të bëjë kjo shumicë dhe do ti kundërvihet qartazi politikisht. Detyra e opozitës është të qartësojë këto veprime për votuesit shqiptarë. Opozita nuk është çështje numrash, PD ka dalë nga një palë zgjedhje për të cilat po reflekton dhe duhet ta bëjmë më tej. Edhe një njeri i vetëm të thotë fjalën e duhur mjafton. Opozita ka të gjithë potencialet e nevojshme për oponencë, këtë e tregoi edhe gjatë prezantimit të programit. Nga ana jonë nuk pati fyerje personale, pati kritika mbi programin dhe premtimet e pambajtura. PS nuk po mban kontratën me qytetarët, kjo kontratë është me një cen të madh, janë bërë premtime të pambajtshme. S’mund të bëhet kështu politikë në shek e 21, nuk është thjesht populizëm, kanë vepruar në keqbesim të zgjedhësve të tyre. Opozita ka të gjitha potencialet për ta bërë ashtu siç duhet luftën politike në një vend demokratik si yni. Sali Berisha është pjesë e pandarë e trashëgimisë së këtyre 20 e ca viteve jo vetëm të PD, por dhe tranzicionit. Jo vetëm kaq, por dhe fjala e tij ka një peshë të madhe dhe duhet të dëgjohet në PD. Ndërkaq është një kryetar i ri që po merr më së miri frenat e drejtimit të PD, për ta çuar atë shumë shpejt drejt fitores. Nuk është e lehtë të jesh dhe kryetar partie dhe kryetar Bashkie, por Basha është jashtë për arsye objective” përfundoi ai.I pyetur nëse do jetë pjesë e strukturave të reja të PD, Imami tha se nuk ka asnjë ambicie ashtu siç nuk do të refuzojë asnjë post nëse i ofrohet.“Do fillohet puna me partinë shumë shpejt, vera nuk ishte koha më e përshtatshme për tu marrë me këtë gjë, mbyllëm kapitullin më të rëndësishëm, zgjedhjen e Kryetarit. Nuk kam asnjë ambicie, ashtu si nuk kam asnjë refuzim. Nuk është çështje ambicie nëse do të marr një rol në anëtarësinë e PD. Në 2007 e kam pasur këtë ambicie, nuk e kam më, kanë ndryshuar rrethanat. Ne të gjithë duam dhe do të kontribuojmë për ringritjen e kësaj partie në një shumicë shumë shpejt për shqiptarët. Shqipëria të cilën na e dorëzuan në 2005, nuk ngjason në asgjë me Shqipërinë që po dorëzojmë ne sot” theksoi ai.