“Shqipëria e gjeneratës tjetër”, Harito prezanton strategjinë e re të TIK

Me iniciativën e Ministres për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, u zhvillua në mjediset e Qendrës Burimore PROTIK, një takim prezantues me temë “Shqipëria e gjeneratës tjetër, strategjia e re e TIK”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Institucioneve kyçe të sektorit (AKSHI, AKCE, ALCIRT, ASIG, DEDAL), studentë të degëve të teknologjisë së informacionit, përfaqësues të bizneseve, si dhe specialistë të tjerë të kësaj fushe.Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito prezantoi për pjesëmarrësit objektivat e qeverisë për zhvillimin e këtij sektori tejet të rëndësishëm, duke vënë theksin në disa prej drejtimeve më kryesore, që do të mundësojnë arritjen e tyre.“Objektivi i parë është shtimi dhe promovimi i shërbimeve dixhitale, i e-shërbimeve si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset, të aksesueshëm nga kompjuterët dhe telefonat celularë” theksoi Ministrja Harito, duke vijuar se “për qeverinë prioritet do të jetë rritja e transparencës dhe përmirësimi i shërbimeve në administratë, sipas iniciativës së ndërmarrë nga Presidenti amerikan Obama “Open governemnet partnership” pjesë e së cilës është dhe Shqipëria.”Ministrja Harito theksoi ndër të tjera se rritja e transparencës, pra shërbimet që merr dhe që jep një administratë është një tjetër aspekt i rëndësishëm, i cili i shërben luftës kundër korrupsionit.“Përdorimi i teknologjive të informacionit pakëson korrupsionin. Nuk është ai që e zhduk , por është ai që e kufizon, e lufton, krijon kushtet që korrupsioni të detektohet dhe të ketë mundësinë që të luftohet”, u shpreh Harito.Në vijim, Ministrja Harito paraqiti disa prej masave konkrete që do të ndërmerren në këtë sektor me synim rritjen e eficencës, transparencës dhe luftën kundër korrupsionit.“Drejtorët pranë Teknologjisë së Informacionit do të jenë shumë më të fuqishëm se më parë. Ata do ti raportojnë drejtpërsëdrejti ministrit dhe roli i tyre do të jetë që të drejtojnë në ministri Projektet e IT”, u shpreh zonja Harito, duke vlerësuar gjithashtu se një trajtim të ri do të përfitojë edhe çështja e rritjes së kapaciteteve vendase në këtë sektor, të cilat përfshijnë numrin e përdoruesve, numrin e bizneseve, si dhe numrin e studentëve që ndjekin këtë fushë.Një projekt konkret i qeverisë në këtë drejtim do të jetë krijimi i një fondi të posaçëm, i cili do t’u vijë në ndihmë të bizneseve të vogla vendase që të zhvillohen në këtë fushë.Gjithashtu,  Harito informoi se një projekt tjetër do të jetë rritja masive e shërbimeve në arsim, për të aftësuar rininë, për të bërë një brez të gatshëm që të afrohet më tepër me teknologjinë e informacionit.“Kemi një projekt për vendosjen e tabletave në shkollat e mesme, por sigurisht tableta të pajisura me programe për të mësuar e-learning dhe jo thjesht si mjet për të aksesuar internetin”, u shpreh ajo.