Withers: Shqipëria në prag të një rilindje, trashëgima historike sfidë e së ardhmes
Dhe pse shumë herë ai është përplasur me klasën politike shqiptare, kryesisht përmes adresimit të kritikave të ashpra ndaj tyre pas largimit nga Shqipëria, ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Withers tregoi dhe njëherë se është dhe vazhdon të mbetet mik i shqiptareve.Duke folur për Zërin e Amerikës, Withers vlerësoi se Shqipëria është në prag të një lindje të re të lirisë.Në këtë kontekst duke kujtuar dhe njëherë kalvarin e vështirësive në të cilat ka kaluar populli shqiptar, ai tha se ka qenë gjithmonë besimplotë se Shqipëria mund të ngrihet, dhe me këtë besim asgjë s’mund t’i ndalë.“Po lexoja një rrëfim të një udhëtari anglez me emrin John Hobhouse, i cili e vizitoi Shqipërinë në vitin 1809. Ai thotë diçka interesante që më bëri shumë përshtypje. Ai tregon se kur ishte në Shqipëri, duke biseduar me udhëtarë të tjerë, ata e identifikonin veten me një besim të caktuar fetar, por kur pyeste vendasit se çfarë ishin, ata gjithnjë thoshin: jam shqiptar. Mendoj se kjo vetëdije u bë themeli i Rilindjes dhe i hapit të madh që Shqipëria feston këtë vit – i pavarësisë kombëtare. Ismail Qemali dhe ata njerëz që ngritën flamurin në Vlorë më 28 nëntor 1912, e çuan më tej atë vetëdije të të qenit shqiptar. Ata i shtuan kësaj ndjenje të shqiptarisë, sensin e vetëvendosjes, ku u mbështetën nga presidenti ynë Woodrow Wilson, si dhe vendosmërinë për liri. Siç e thatë edhe ju, kjo dëshirë dhe kjo ëndërr që ata kishin për një Shqipëri të lirë, u godit nga shumë e shumë forca historike, më e keqja ndër të cilat ishte periudha komuniste. Tani komunizmi nuk është më në fuqi dhe çështja është se çfarë duhet ndërtuar në vend të tij. A duhet zbatuar në praktikë vizioni i Ismail Qemalit, a duhet realizuar ajo ëndërr? Kjo është pyetja që shqiptarët duhet t’i japin vetë përgjigje. Dhe së fundi, duke krijuar këtë sens të ri të Shqipërisë moderne që filloi më 28 nëntor 1912, lëvizja për pavarësi, burrat dhe gratë trime të asaj kohe kanë lënë trashëgiminë e tyre, trashëgiminë e lirisë, të pavarësisë dhe të parimeve demokratike. Përsa kohë që shqiptarët i përmbahen asaj, përsa kohë që ata e shikojnë me mirënjohje dhe admirim atë periudhë të shkuar, duke i mbajtur ato parime në zemër, Shqipëria do të mund të arrijë ëndrrën që lindi njëqind vjet më pare” tha ai.Ndërkaq ish- Ambasadori ka tërhequr vëmendjen lidhur me trashëgiminë historike, duke e vlerësuar një prej sfidave me të cilat përballet Shqipëria, ku shtoi se gjerat nuk duhen bërë nga lart –poshtë, por anasjelltas.“Mendoj se sfidat me të cilat përballet vendi në atë rajon janë të mëdha e të shumta. Njëra prej tyre është trashëgimia historike. Shqipëria nuk është mësuar me demokracinë ashtu siç është bërë standarde në vendet e tjera të botës, për shembull në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën Perëndimore. Sfida është këmbëngulja te parimet e udhëheqjes. Mënyra themelore për të arritur ëndrrën e 1912-ës nuk është duke i bërë punët nga lart poshtë por nga poshtë lart. Mësimi i vërtetë i demokracisë është se udhëheqësit drejtojnë me vullnetin e popullit dhe nuk mund të jetë ndryshe. Kam besim të plotë se Shqipëria ndodhet në prag të një lindjeje të re të lirisë. Duke mësuar se autoriteti më i lartë i takon popullit, ata do të mund të kapërcejnë çdo sfidë, si në aspektin ekonomik, social apo politik. Unë vazhdoj të jem optimist dhe të kem shumë besim tek Shqipëria dhe tek populli shqiptar”theksoi Withers.E në kuadër të festimeve për 100 vjetorin e pavarësisë, Withers konfirmoi se është pjesë e listës së gjatë të të ftuarve, ku theksoi se pret me padurim që të vizitojë vendin tone.