Prokuroria e Tiranës çon në gjykatë dosjen për Jak dhe Ndue Jakun
Prokuroria e Tiranës çon në gjykatë dosjen për Jak Jakun dhe Ndue Jakun. Aktualisht Jak Jaku ndodhet në paraburgim në Greqi në pritje të ekstradimit, ndërsa Ndue Jaku ndodhet në Shqipëri në pritje të fillimit të gjyqit.Mbi Jak Jakun dhe Ndue Jakun rëndojnë akuzat për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje. Jak Jaku dhe Ndue Jaku u arrestuan së bashku me Arben Frrokun në 25 shkurt 2013, në Selanik, Greqi, rreth 24 orë pas vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj, për të cilin Frroku është i akuzuari kryesor për vrasjen në një atentat mafioz në Tiranë.Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, ka dyshime se Frroku është i përfshirë në vrasjen e funksionarit të Policisë. Ky fakt nuk është pranuar për asnjë moment nga biznesmeni. Përmes avokatit të tij, Frroku ka pretenduar se arrestimi i tij është bërë pa asnjë provë.Ndonëse Gjykata e Lartë greke pranoi gati tre muaj më parë kërkesën e palës shqiptare për ekstradimin e biznesmenit, çështja ka “ngecur” në Ministrinë e Drejtësisë në Athinë.Aktualisht, biznesmeni është në gjendje “arresti me burg”, në zbatim të një vendimi të dhënë ndaj tij në mungesë nga Krimet e Rënda në Tiranë.