Bashkia: Kompani prestigjioze interes për ndërtimin e linjave të tramit
Ndërtimi i linjave të tramit në Tiranë, projekti strategjik i lançuar nga kryebashkiaku Basha ka ngjallur interes të madh tek kompanitë prestigjioze ndërkombëtare. Korporata Shtetërore Kineze për Ndërtim dhe Projektim (China State Construction Engineering Corporation), kompania e tretë më e madhe në botë për ndërtime, ka shprehur interes për ndërtimin e linjës së tramit nga terminali multimodal i pasagjerëve, përmes bulevardit të ri, deri në sheshin "Nënë Tereza". Zyrtarisht, kjo kompani i ka paraqitur Bashkisë së Tiranës interesin e saj, për financimin dhe ndërtimin e kësaj linje, nëpërmjet partneritetit publik privat.Interes është shfaqur edhe për ndërtimin e linjës tjetër të tramit, atë që lidh Kombinatin me Kinostudion. Përfundimi i studimit të fizibilitetit të kësaj linje, nga kompania "Egis - International", financuar nga qeveria franceze, me një grant prej 750 mijë euro ka faktuar se ndërtimi i kësaj linje është i leverdisshëm, gjë që ka nxitur kompanitë të shprehin interesin e tyre për ndërtimin e saj. Kompania "Egis - International" është duke përfunduar modelin e financimit për linjën Kinostudio - Kombinat. Bashkia e Tiranës po shqyrton interesin e shprehur, në mënyrë që pas përcaktimit të modelit të financimit, t'i hapë rrugë ndërtimit të linjës së tramvajit Kombinat-Kinostudio.Vënia në funksionim e shërbimit të tramit në Tiranë do të ketë një impakt të menjëhershëm, në modernizimin dhe uljen e kostos së lëvizshmërisë për qytetarët dhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe ambientit në Tiranë. Këto investime pritet të sjellin një transformim tërësor të mentalitetit të lëvizjes në Tiranë, duke orientuar më shumë qytetarë drejt transportit publik dhe duke ulur ndjeshëm nevojën për përdorim të automjeteve private brenda qytetit.Nisja së shpejti e ndërtimit të bulevardit të ri, si dhe projektet strategjike të terminalit multimodal të pasagjerëve dhe të linjave të tramvajit do të ndikojnë fuqishëm në zhvillimin ekonomik, nxitjen e punësimit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Tiranës.