Alibeaj: Qeveria e re ende pa program, SHQUP-in e morëm sipas ligjit

Kur na ndajnë dhe 10 ditë nga dekretimi i kabinetit të ri qeveritar Rama, deputeti demokrat i legjislaturës së shkuar, Enkelejd Alibeaj, deklaron se mazhoranca e re është e vonuar në paraqitjen e programit politik. Sipas tij e majta kishte kohën e mjaftueshme për të hedhur linjat mbi programin e 100 ditëve të para të qeverisë, por në vend të kësaj thekson Alibeaj, Rama dhuroi disa mbledhje të ngjashme me ato të sekteve fetare , duke kërkuar kështu të shkëputet nga kultura politike. Për Alibeajn qasja që Rama po i bën pragmarrjes së qeverisë lë vend për të hamendësuar se Kryeministri i ri do të karakterizohet nga një paaftësi totale për të çuar përpara cilësinë e qeverisjes së këtij vendi përpara.

“ Duhet të kishim një program politik të qeverisë që vjen. Për çudinë, jo vetëm timen, ka rezultuar që në gjithë këtë periudhë s’kemi arritur të marrrim diçka të tillë dhe  jo vetëm për shkak të muajit gusht të pushimeve por dhe shterpësinë e lajmeve politike që qeveria e re shterpë nuk ka mundur të prodhojë. Kjo për mua është e trishtueshme, sepse për kaq kohë, që nga momenti që u pa dhe pranua rezultatiti zgjedhor, do duhej që nga ana e qeverisë hapi i parë të ishte artikulimi i programit që duhej të paraqitej në parlament. Ajo që është parë, janë mbledhjet e qeverisë ende të pamandatuar, një në Vlorë, tjetra në Shkodër. Do të ishte diçka për tu lavdëruar nëse do kishte transparencën e duhur, publiku të mësonte se cilat ishin piketat programore, ideore  mbi programin e ri. Është gazmore dhe e trishtueshme një lloj qasje e tillë e mazhorancës, më lë të çuditur psikoza me të cilën Rama po sillet gjatë kësaj kohe. Duhet studiuar trualli i psikikës me të cilën Rama është duke ndërtuar psiqikën e tij qeverisëse. Shpërfilljen ndaj mediave, njohjes së qeverisjes dhe shtetëformimit tëe vërtetë, shkëputje nga realiteti, shkëputje nga premtimet elektorale të para 23 qershorit. Është një qasje që do jetë sfondi i gjithë aksionit të kësaj qeverisje. Mbledhja e tij është mbledhje e një lloj sekti.Ky njeri kërkon  të shkëputet nga kjo lloj kulture politike. Duhet parë me seriozitet se cila është qasja që Rama është duke i bërë pragmarrjes së qeverisë në dorë. Po duket se po e merr lehtësisht, pasi e karakterizon  një shterpësi ideore,  një frymë nihiliste e mohimit të gjithçkaje. Nga kjo duket që Rama do të karakterizohet nga një paftësi totale për të çuar përpara cilësinë e qeverisjes së këtij vendi” deklaroi ai.

Sipas zotit. Alibeaj sfida e vetme e qeverisë së majtë të drejtuar nga kryesocialisti Rama  është njohja e arritjeve të qeverisë parardhëse dhe ruajtja e ritmeve të zhvillimit të ekonomisë që po trashëgon nga e djathta.

“Kjo qeverisje do të duhetta pranojë si realitet trashëgiminë shtetërore të cilën e merr përsipër. Qeveria duhet të ruajë ritmet e zhvillimit të ekonomisë, Rama duhet të modelohet me siluetën e shtetarit, nuk është më ai djali plangprishës i opozitës. Duhet të kuptojë që ka marrë edhe jo për meritë të tij, por dikujt tjetër, frenat e drejtimit të shtetit. Jam i gatshëm të mos i konsideroj ato premtime të para 23 qershorit   si steka me të cilën duhet të matet qeveria e Ramës. Por është  një moment që nuk i jep asnjë lloj oguri të bardhë se do ketë ditë të mira për qeverisjen e re” theksoi Alibeaj.

Një ndër godinat më të përfolura mediatikisht, selia e re e PD apo ish-Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë është marrë sipas të gjitha dispozitave që përcakton ligji. Enkelejd Alibeaj sqaron se marrëdhënia e PD me shtetin sa i përket këtij objekti është terësisht marrëdhënie juridike kontratë-qeraje, përmes të cilës kjo parti e merr në përdorim pa i hequr të drejtën e pronësisë shtetit. Duke iu referuar deklaratave të PS, por dhe të Ministres së propozuar për Mbrojtjen Mimi Kodheli, Alibeaj i cilësoi një lloj revanshizmi ndaj opozitës.

“Nuk është gjë tjetër vetëm një nga rastet kur goja flet para mendjes, kur kjo është rishtare shkon të njëjtën linjë të kësaj qeverie. Historia e  SHQUP nuk është histori vullnetesh. Jo më larg sesa një vit nga sot është miratuar me konsensusin e  dy palëve një ligj në parlament, ligji për partitë politike,  ku një nga pikat ishte dhe parashikimi i proçedurave për pajisjen me zyra të partive politike.  Shteti është i detyruar ti pajisë me zyrë partitë. Këtu krijoheh një marrëdhënie juridike qeraje.  Pra SHQUP është ende i shtetit, nuk është pronë e PD, pra nuk ja heq të drejtën e pronësisë shtetit. Edhe sjellja e Presidentit është terësisht jo vetëm në përputhje me ligjin, por dhe politikat e Forcave të Armatosura. Ky objekt nuk është se i la të vobektë ushtarakët. Ishte një godinë që nuk kishte asnjë lloj funksioni për atë që emri i saj tregon. Pra nuk ka asnjë lloj mëkati në këtë mes. Atyre u foli subkoshienca, treguan agresivitetin e tyre për revanshizëm ndaj opozitës” tha deputeti demokrat.