Zhdukja e gomones me 27 persona, pa rezultat kërkimet, ndërpriten deri nesër
Ndërpriten kërkimet nga pala shqiptare dhe italiane për gomonen e cila dha alarmin SOS një natë më parë, duke kërkuar ndihmë nga salla operative italiane. Koordinatori i operacionit nga pala shqiptare, ka deklaruar se pritet vendimi i palës italiane për të mësuar nëse operacioni i kërkimit do të vijojë apo jo ditën e nesërme.
Rojet bregdetare italiane dhe ato shqiptare që prej natës së mbrëmshme kanë nisur kërkimet në kanalin e Otrantos, pas një sinjali për ndihmë të marrë nga një gomone ku dyshohet se gjenden 27 klandestinë. Kërkimet si nga deti ashtu nga ajri me helikopterë nuk kanë patur rezultat.
Sinjalizimi i parë është marrë nga autoritetet italiane, të cilat kanë angazhuar menjëherë mjetet e tyre lundruese si dhe helikopterë. Ndërkohë është njoftuar edhe pala shqiptare, e cila gjithashtu është vënë në lëvizje. Dy mjete të Rojeve bregdetare kanë nisur kërkimet në ujërat shqiptare. Gjatë ditës, në operacionet e kërkimit janë përfshirë edhe dy helikopterë dhe një anije ushtarake britanike, pjesë e trupave që po zhvillojnë stërvitje të përbashkëta me forcat e ushtrisë shqiptare.Sipas njoftimeve, personi që ka kërkuar ndihmë ka qenë shqiptar dhe ka njoftuar se ka pësuar një avari. Ai nuk ka dhënë koordinata gjë që ka vështirësuar kërkimet të cilat që prej mesditës po zhvillohen vetëm në ujërat italiane. Dyshohet se klandestinët mund të jenë kurdë ose nga vendet e Lindjes së Mesme.
Gjatë muajve të verës së këtij viti janë disa qindra emigrantë nga vendet e Lindjes së mesme të përfshira në konflikte të armatosura të cilët janë përpjekur të shfrytëzojnë Shqipërinë për të mbërritur në shtetet e Bashkimit europian. Ata kanë udhëtuar përmes Greqisë, por janë ndaluar më pas nga policia shqiptare, në kufijtë jugorë të vendit.
Zhduket gomonia me 27 klandestinë në bord, në Itali gjendet një gomone me 32 persona
Një gomone ku mendohet se ndodhen 27 klandestinë është zhdukur që prej mbrëmjes së djeshme në kanalin e Otrantos.
Njoftimi është bërë nga Roja bregdetare e cila ka theksuar se ka marrë një informacion nga Shërbimi SAR i Romës në Itali se dje në orën 20.50, nga kanali i Otrantos është marrë një sinjal SOS nga një gomone me rreth 27 vetë në bord, të cilët dyshohet se janë klandestinë.Pas marrjes së njoftimit, menjëherë në drejtim të rajonit të raportuar janë nisur dy anijet e gatshme të Rojës Bregdetare, nga bazimi i Pashalimanit dhe Porto-Palermos, të cilat kanë kryer operacion kërkimi në det deri në orët e para të mëngjesit të sotëm."Edhe pse kërkimet kanë qenë intensive, nuk është bërë e mundur gjetja e gomones, për arsye të mungesës së të dhënave të sakta të vendndodhjes, si dhe të zonës së gjerë ku u zhvilluan kërkimet" thuhet në njoftim.Mediat italiane: Gjendet një gomone në brigjet e KalabrisëNdërkohë mediat italiane raportojnë se një gomone me 32 persona në bord është gjetur në brigjet e Kalabrisë. Sipas mediave gomonia ka pësuar defekt dhe ka kërkuar ndihmë ndërsa por nuk dihet nëse bëhet fjalë për gomonen e zhdukur me klandestinë në kanalin e Otrantos apo jo.