Mbreti Zog varroset në atdhe, nderohet nga krerët e shtetit e qindra qytetarë
Pas 51 vjetësh nga vdekja e Ahmet Zogut tanimë eshtrat e tij do të prehen në Shqipëri. Pas mbylljes së homazhevenë Pallatin e Brigadave u mbajt ceremonia per rivarrosjen ne Mauzoleumin e familjes Mbreterore. Në fjalen e tij gjate ceremonisë Presidenti i Republikës Bujar Nishani e vlerësoi një detyrim moral prehjen e eshtrave të Mbretit Zog I për rolin e tij në forcimin e shtetit shqiptar.“Historinë mund ta harrosh, deformosh, por edhe kjo është afatshkurtër dhe për të keqen e atij që e beson. Mund të duket se me historinë mund të bësh c’të duash, por nuk është ashtu, se nuk të lë historia ty ta shpërfillësh, pa të ndëshkuar për gabimet dhe pa të shpërblyer për të mirat”- ka thene Nishani gjate fjales se tij. historia jonë ka nxjerrë jo pak njerëz të shquar, luftëtarë, princër, mbretër, madje edhe perandorë, një numër prej këtyre, qenë të tillë kur Shqipëria nuk ishte ende shtet, dhe shumica e tyre në atdhe të huaj.I pari dhe i vetmi mbret i Shqipërisë shtet është Ahmet Zogu, eshtrat e të cilit po rivarrosim sot. Për një periudhë kohe, vendi pati një mbret real. Mbret i një Shqipërie që aspironte por nuk kishte vetëdije politike, rend dhe praktikisht asnjë infrastrukturë, mbreti ynë shtetin e bëri vetë. Ahmet Zogu ka lënë pas një diskutim të gjerë mes palëve, por ai është një prej figurave kryesore të historisë shqiptare. Ai premtoi të sjellë rendin dhe progresin, këtë synoi dhe nisi të bënte, ai nisi ta bënte Shqipërinë shtet me atributet e një shoqërie ku sundonte qytetërimi. I dha shtetit shqiptar Kodin Civil dhe Penal që mungonin, krijoi administratë të efektshme gjyqësor të besueshëm, luftoi fanatizmin, krijoi kushtet për lirinë e shtypit, forcoi monedhën, shtroi premisat për një shtet modern. Nëse në celebrimin e Zogut si mbret rreth orës 17.00 të ’28-s, kishte pak gazetarë, lajmi i krijimit të monarkisë shqiptare nuk kaloi pa u vënë re. Nëse në varrimin e tij larg Shqipërisë morën pjesë pak njerëz, ajo që ai bëri për Shqipërinë nuk u harrua”- tha Nishani.Nishani nga ana tjetër kërkoi rishikimin e historisë, në mënyrë që të vlerësohen figurat historike pa ngjyrime politike.“Sot në prag të 100 vjetorit të pavarësisisë, është gjest fisnik, detyrim moral dhe patriotik që eshtrat të prehen në vendin të cilit ai i kushtoi vitet më të mira të jetës, në vendin ku pati edhe kundërshtarë por ku kujtesa e popullit do ta mbante gjallë emrin e tij. Historia e vendit tonë nuk është boshe. Kthimi i eshtrave është dukej e një shteti që të ardhshmen e ndërton duke marrë më të mirën e mundshme nga e shkuara dhe e sotmja”- tha ai.Ndërsa Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga duke vlerësuar kontributin e Ahmet Zogut në konsolidimin e shtetit shqiptar, tha se kthimi i eshtrave të tij në atdhe simbolizon drejtësinë hyjnore dhe paqen politike.“Prehja në tokën tonë e atyre që u përpoqën për shtet ndërtimin është një amanet i mbetur peng që ne duhet ta kryejmë me nder e krenari. Me këtë dëshmojmë urtësinë duke fituar qetësinë shpirtërore si njerëz dhe komb, duke pasur respekt për punën e prijësve tanë. Shqipëria në udhëheqjen e naltmadhërisë nga një vend i varfër e i pazhvilluar, fisnor e i përcarë u bë një vend modern i kohës, me shtrirje të pushtetit dhe administratës në secilin cep, me tolerancë fetare, shembull për vendet e tjera. Me qeverisjen e tij ndërlidhjen datat më të rëndësishme, që nga shpallja e pavarësisë në Vlorë, luftën në mbrojtje të Shkodrës, duke përzënë trupat malazeze, serbe, greke, italiane dhe trupat etjerë të huaj nga territori i shtetit, në zbatim të vendimeve të kongresit të Lushnjes. Zogu dhe gjithë populli i pritën me gjithë zemër kosovarët e përzënë nga vendi i tyre, respektoi tolerancën fetare. Eshtrat e patriotëve nuk i tret dheu i huaj dhe guri i rëndë peshon në vendin e vet” tha Jahjaga.Ne ceremoni ishin të pranishëm edhe kreu i qeverise shqiptare, Sali Berisha, kryeparlamentarja Topalli, anetare te kabinetit qeveritar e te tjere personalitete.Ceremonia e vendosjes së eshtrave në banesën e fundit u shoqërua me të shtëna nga pushkatarët e Ministrisë së Mbrojtjes.Në orën 19.00 deri në orën 20.30 Presidenti i Republikës do të shtrojë një darkë për pjesëmarrësit dhe familjarët në Pallatin e Brigadave, duke i bërë të gjitha nderimet një figure të shquar të historisë në këtë 100 vjetor të shtetit shqiptar, mbretit Ahmet Zog i Parë.HomazhetNë Pallatin e Brigadave jane mbajtur homazhet në nderim të mbretit Zog, trupi i të cilit mbërriti një ditë më parë në atdhe.Zyrtarët më të lartë të shtetit moren pjesë në homazhet që zgjaten per dy orë, dhe më pas eshtrat e mbretit do të vendosen në Mauzoleumin e familjes mbretërore, i cili ka një sipërfaqe prej 75 metra katrorë me një lartësi 14. 7 metra.Në qendër do të vendoset varri i Nënës Mbretëreshë, ndërsa në murin përballë do të vendosen pllakatet e varreve të familjes mbretërore. Objekti është i lartë 10 m, ndërsa kupola 4.7 m.Në ceremoninë e rivarrimit dhe përurimit të Mauzoleumit pritet të mbajnë një fjalim presidenti Bujar Nishani si edhe presidentja e Kosovës Ahtifete Jahjaga.Eshtrat e mbretit Zog mbërritën dje nga Parisi në orën 08:15 të mëngjesit në aeroportin “Nënë Tereza” ku u prit nga ministrat Flamur Noka, Arben Imami dhe Aldo Bumçi, nga dy Zv. ministrat Edith Harxhi dhe Ekrem Spahiu si dhe nga Princ Leka II dhe pjesëtarë të tjerë të familjes mbretërore.Arkivoli me eshtrat e Mbretit Zog u vendos në shtratin e topit dhe më pas u nis drejt banesës së Familjes Mbretërore.Mbreti Zog u largua nga Shqipëria në prill të 1939, ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.Pas përfundimit të luftës së dytë botërore regjimi komunist i ndaloi atij dhe famijes mbretërore rikthimin në atdhe. Mbreti Zog jetoi në mërgim deri sa u nda nga jeta në prill të 1961, në Paris.10:56 Vazhdon ceremonia e homazheve ne Pallatin e Brigadave per mbretin Zog I. Homazhet per nder te tij kane nisur ne oren 10:00 dhe do te zgjasin deri në oren 12:00.Njerez te shumte presin ne radhe perpara pallatit te Brigadave per t’i bere nderimet e rastit.Ne homazhe kane marre pjese Kryeministri Sali Berisha, Presidentja e Kosovës Ahtifete Jahjaga, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, Ministri i Jashtëm Edmond Panariti, Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, Ministri i Brendshëm Flamur Noka, kreu i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, zvendesministri i Kultures, Abaz Hado, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, kreu i PDIU Shpetim Idrizi, kreu i FRD Bamir Topi, kreu i PR Fatmir Mediu, Presidenti i RTV Ora Neës Ylli Ndroqi, deputetja e PD-se, Rajmonda Bulku, deputeti Katriot Islami, përfaqësues nga Lugina e Preshevës, deputeti Gazmend Oketa, nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili, etj. 11:44 Berisha: Vepra e Mbretit Zog duhet t’i bashkojë shqiptarëtPolitika dhe populli mbarë të vlerësojë kontributet që Mbreti Zog dha për këtë komb, vlerësimet dhe diskutimet u takojnë historianëve. Kështu ka deklaruar kryeministri Sali Berisha pas homazheve në nder të Mbretit Zog I në Pallatin e Brigadave, duke e vlerësuar rolin e padiskutueshëm të Ahmet Zogut në formimin e shtetit shqiptar.“Sot mbarë kombi shqiptar nderojnë dhe përlulen para veprës dhe kontributit të njërit nga burrat më të shquar të historisë kombëtare, që rikthehet në atdheun e tij pas dekadave syrgjyn, ekzil mergimi për së gjalli dhe për së vdekuri në dhera të tjera. Shqiptarët përlulen para burrit që jehtësoi pavarësinë e Shqipërisë.Flamuri shqiptar u ngrit në Vlorë në 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemaili dhe atdhetarë të tjerë, por për vite të tëra u pengua vendosja e një shteti shqiptar. Në një moshë të re do të vendoste integritetin territorial të Shqipërisë, është koncidencë e mrekullueshme që ai kthehet në atdheun e tij në 98 vjetorin e clirimit të Tiranës, një vepër e tij. Ahmet Zogu nderohet sot nga të gjithë shqiptarët, për kontributin që dha në ndërtimin e shtetit.Do nderohet për vokacionin perëndimor që i dha shtetit, konturoi diplomacinë shqiptare dhe zhvilloi infrastrukturën, do nderohet për qëndrimin që mbajti ndaj Holokaustit. U largua nga Shqipëria, por u largua për të vazhduar betejën në të gjitha frontet.Në historinë tonë kombëtare nuk kemi pasur dhe nuk kemi njerëz të pagabueshëm, nëse do bënim një vlerësim në raport me rrethanat në të cilën mbretëroi, përpjekjet e tij smund të konsiderohen tjetër vecse mbinjerëzore për lirinë e vendit. Falenderoj shtetin e Francës që e strehoi, nuk refuzoi kërkesën e tij.Kontributi, vepra madhore e Ahmet Zogut në historinë kombëtare duhet të bashkojë të gjithë shqiptarët e të gjitha bindjeve, të vërtetat historike është më mirë ti mësosh vonë, sesa kurrë.Atij që ka frikë nga eshtrat e Mbretit Zog i them se ke mbetur në lëkurën e Enverit. T’ua lëmë diskutimet historianëve, atryre u takon e drejta për të vlerësuar, ne duhet të vlerësojmë kontributet që dha për këtë komb” tha Kryeministri. 12:07 Përfundojnë homazhet në Pallatin e Brigadave në nder të Mbretit Zog I. Arkivoli me eshtrat e Mbretit Zog shoqëruar nga kortezhi është drejtuar drejt Mauzoleumit mbretëror, ku do të zhvillohet dhe ceremonia e rivarrimit të eshtrave.