Çlirimi i Tiranës, Basha: Të bashkuar, ti japim vendit atë që meriton

Të bashkohemi për ti dhënë vendit atë që meriton. Ka qenë ky mesazhi i kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha, duke tentuar që qëndrojë jashtë kuadrit politik, gjatë homazheve në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit” në 68 vjetorin e clirimit të Tiranës. Duke e vlerësuar kontributin e dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e vendit, Basha tha se nderimi i atyre burrave dhe grave është një detyrim ndaj tyre, por dhe një shembull i mirë për edukimin e brezave të ardhshëm, për tu treguar se ata që vdesin për atdheun nuk vdesin kurrë.“Ky përkujtim nis me një përlulje të thellë, nderojmë ata që ranë dhe luftuan për clirimin e Tiranës, e kësaj faqe të lavdishme që i dhanë kryeqytetit clirimin e pritur. Një detyrim edhe për edukimin e brezit të ardhshëm. Ata që bien për atdheun nuk vdesin kurrë. Shpresoj që në këtë 100 vjetor, të shërbejë si një burim për bashkim dhe jo përcarje. Detyra jonë është të mos përsërisim gabimet e të shkuarës, por të bashkohemi të gjithë për ti dhënë vendit atë që meriton” tha Basha.Ndërsa Partia Socialiste ka nderuar 17 nëntorin, ditën e Çlirimit të Tiranës nga pushtimi nazifashist nëpërmjet një ceremonie përkujtimore pranë monumentit “Partizani i Panjohur”.Kryetari i PS-së së Tiranës, Saimir Tahiri, deputetët e kësaj partie Eglantina Gjermeni, Vasilika Hysi, Fatmir Xhafaj, Ilir Gjoni  kanë vendosur kurora me lule si dhe kanë bërë homazhe pranë monumentit, i cili simbolizon triumfin e shqiptarëve kundër pushtimit nazifashist dhe bashkëpunëtorëve të tyre.Deputetë të tjerë të Partisë Socialiste kanë marrë pjesë në një tjetër ceremoni përkujtimore të zhvilluar në Vorë.Çlirimi i Tiranës nga trupat nazifashiste më 17 nëntor 1944, shënon aktin më të rëndësishëm politik dhe ushtarak, pasi kurorëzoi fitoren e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.Kjo luftë është vlerësuar si operacioni më i madh i shkallës operativo-strategjike i zhvilluar nga UNCSH-ja për çlirimin e qyteteve dhe shembulli më tipik për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të popullit në betejën për çlirim.