Basha:Tolerancë zero ndaj ndërtimeve pa leje, jo legalizim

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka paralajmëruar tolerancë zero ndaj ndërtimeve pa leje ndërsa ka shtuar se nuk do të ketë asnjë lloj procesi legalizimi për to.Duke folur në një tryezë për decentralizimin, Basha kërkoi nga inspektoriati ndërtimor identifikimin e ndërtimeve pa leje dhe më pas prishjen e tyre."Sot në prani të një plani urbanistikë që e bën marrjen e lejes më të thjeshtë se kurrë më parë është detyra juaj e parë më kryesore dhe e prerë të veproni në mënyrë energjike nën drejtimin e kryetarëve të njësive bashkiake për të identifikuar çdo proces, shkelje ligji që fillon apo vazhdon me ndërtimet pa leje, për të marrë hapat ligjore qoftë nga vendosja e gjobave dhe masave të tjera administrative deri tek prishja në flagrancë, prishja totale e këtyre objekteve. Çdo objekt i nisur në këtë formë  e pret një dhe vetëm një fat, ai që i rezervon ligji, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë procedurë legalizimi në raport me këto ndërtime. Kjo të jetë e qartë “si drita e diellit” dhe t’i bëhet e qartë qytetarëve” u shpreh Basha.

Tashmë pushteti vendor, pra 11 njësitw bashkiake në Tiranë do të kenë më shumë kompetenca. Minibashkive u delegohen 50 punonjës të Policisë Bashkiake dhe 50 inspektorë të Inspektoratit Ndërtimorë Urbanistik Vendor si dhe një fond financiar prej 32 milionë lekësh, për shpenzimet operative.
“Do të ketë një kompetence të plotë vendimmarrjeje dhe ndërhyrje të plotë në ato raste kur konstatohet se ju nuk po veproni në kohë apo nuk po veproni siç duhet. Natyrisht kjo do të sjellë pasoja si për ju, si për njësitë bashkiake, por unë dua ta nisë sot me mirëbesim se kjo masë do të japë efektet  e dëshiruara, pikësëpari me një problem madhorë që është konstatuar këto muaj që rendon në periudha elektorale që janë ndërtimet pa leje në qytetin e Tiranës, ku toleranca do të jetë zero, larg çdo tentative për ta politizuar, larg çdo presioni të çfarë do pale për të përdorur lidhje kontakte, emra për të kryer veprimtari të paligjshme ndërtimore në qytetin e Tiranës” tha Basha.Delegimi i kompetencave edhe pranë njësive bashkiake sipas Bashës është parë si një kontribut i madh në këtë drejtim.  Sipas Bashës, hyrja në fuqi e vendimit të Këshillit Bashkiak për decentralizimin e këtyre kompetencave është vetëm hapi i parë sepse të tjera kompetenca do t'u kalojnë njësive të qeverisjes vendore në mbledhjen më të afërt të Këshillit Bashkiak.