Toponimet, AP: Ministria e Jashtme të përgjigjet për masat
Avokati i Popullit ksrkon nga Ministria e Jashtme të sqarojë masat e marra për të zgjidhur problemin e Toponimeve greke në dokumnetet zyrtare të shtetasve shqiptarë.Në një deklarate për mediat, zëdhënësja e AP ka bërë me dije se edhe pas tre shkresave të dërguara në Ministrinë e Jashtme për këtë problem, ende nuk kanë marrë përgjigje.“Avokati i Popullit e vlerëson një problem të rëndësishëm çështjen e mësipërme pasi është një problem që prek një numër të konsiderueshëm qytetarësh shqiptare, veçanërisht fëmijët e shtetasve shqiptarë të larguar pas viteve 90, që kanë lindur dhe që jetojnë në shtetin Grek. Kjo çështje është ngritur dhe diskutuar si një shqetësim i përbashkët edhe në vizitën që Avokati i Popullit pati në Greqi gjatë këtij muaji me homologen e tij, Ombudsmanen e Greqisë znj. Caliope Spanou. Duke analizuar gjerësisht tërësinë e të drejtave që cënon gjendja e krijuar për shkak të pasqyrimit të toponimeve në dokumentet zyrtare të shtetasve shqiptar, të dyja institucionet u bënë thirrje institucioneve kompetente të shteteve respektive për të gjetur sa më shpejt të jetë e mundur zgjidhjen më të përshtatshme, dhe duke theksuar veçanërisht mbrojtjen e interesave legjitim të fëmijëve në këtë rast” theksoi zëdhënësja.Ja disa nga pyetjet që AP kërkon përgjigje nga Ministria e Jashtme:
- Cilat janë shkaqet ligjore që kanë cuar në lindjen dhe bartjen e këtyre problematikave?
- Cilat janë masat dhe procedurat që po ndiqen aktualisht nga autoritetet shqiptare për shmangien e pengesave në lëvizjen e shtetasve shqiptarë në pikat e kalimit kufitar me shtetin grek për shkak të problematikës së shkrimit të toponimeve greke në pasaportat shqiptare?
- Cilat janë hapat konkrete të ndërmarrë për standartizimin e toponimeve në dokumentet e udhëtimit të shtetasve shqiptarë, bazuar edhe në Udhërrëfyesit e Toponimeve të Grupit te eksperteve të Kombeve të Bashkuara UNGEGN?
- A është ngritur tashmë autoriteti shqiptar për standartizimin e përdorimit të emrave gjeografik në dokumentet zyrtare?
- Cila është fatura financiare e parashikuar për zgjidhjen përfundimtare të problemit?