Për Juven të tjerë miliona janë në ardhje
Dje në orën 14:30 është prezantuar zyrtarisht partneriteti i ri mes Juventus dhe "BWIN", agjencia prestigjioze e basteve dhe lojërave on-line.Në këtë mënyrë, kampionët e Italisë ashtu si klubet e tjera të mëdha europiane, Bayern Munchen, Manchester United, Real Madrid etj, do jenë pjesë e sponsorizimeve milionere (shifrat nuk janë bërë të ditura, por mendohet se për vitin e parë, torinezët do fitojnë diçka mes 5 dhe 7 milionë eurove), kapital ky që shton edhe më shumë urinë për të investuar në merkato dhe për t'u konfirmuar pjesë e kësaj sipërmarrjeje serioze.Drejtori i Përgjithshëm i Juventus, Giuseppe Marotta, dhe homologu i tij i "BWIN" për Italinë, Francesco Gaciano, janë të lumtur për këtë marrëveshje të firmosur.Falë kësaj kontrate, imazhi dhe prestigji i "Zonjës së Vjetër" në botë do të rritet akoma më tepër dhe do përfshijë reklamime të shumta në lidhje me imazhin e klubit dhe të lojtarëve të ndryshëm bardhezi.Dëshmitarët e marrëveshjes së djeshme ishin Carlos Tevez dhe Arturo Vidal.