Juve prezanton sot Ogbonën, tani radha e largimeve

Pas shumë tentativash dhe diskutimesh ka marrë fundë telenovela e mbrojtësit Angelo Ogbona, i cili do të kalojë nga skuadra e Torinos drejt Kampionëve të Italisë.Pas disa tratativash me shumë ulje e ngritje mes klubeve të të njëjtit qytet, "Zonja" ka arritur të sigurojë shërbimet e mbrojtësit Ogbona. Ky i fundit pritet që sot pasdite të mbërrijë në ambientet e klubit të Juventusit për të kryer vizitat mjeksore dhe pastaj për tu prezantuar nga drejtuesit e skuadrës si blerja më e fundit pas Tevez dhe Loriente pak ditë më parë.Për sa i përket akordit të arritur, Juventus do ti paguajë kushërinjve të Torinos 15 milion euro për kartonin e qendërmbrojtësit Italian. 12 milion do të derdhen në arkat e klubit Granata, ndërsa 3 milion të tjera do të shlyhen më vonë. Sipas mediave italiane thuhet se shumën që Juventus do të paguajë në muajt e ardhshëm mund ta shlyej edhe me kalimin përfundimtar të sulmuesit në radhët e Torinos. Vetë qendërmbrojtësi Italian, Ogbona, pasi të bëjë prezantimin me skuadrën e Juventusit pritet të nënshkruajë me bardhezinjtë një kontratë 4-vjeçare me një përfitim prej 1.8 milion euro në sezon ku nuk përjashtohen edhe bonuse në lidhje me paraqitjet e tij në radhët e kampionëve të Italisë.Pas tre goditjeve në merkato, Juventus tani duhet të përqëndrojë vëmendjen krejtësisht te blerja e Jovetiç, që mund të jetë edhe goditja e fundit në këtë merkato verore. Nëse arrihet edhe ky objektiv, atëherë merkato e kampionëve të Italisë mund të cilësohet jo vetëm e mbyllur por edhe e suksesshme. Përveç afrimeve, vëmendja e drejtuesve të skuadrës pritet të drejtohet edhe në shitjen e lojtarëve të panevojshëm në skuadër. Sipas mediave italiane bëhet e ditur se përveç largimit të një ose dy sulmuesve nga skudara e Juventusit mund të largohen edhe lojtarë të tjerë. Një ndër ta është edhe mesfushori Xhakerini. Për mesfushorin italian së fundmi një interes të veçantë ka shprehur skuadra e Sandërlend e cila ofron 8 milion euro për të marrë kartonin e mesfushorit.Deri në mbylljen e merkatos mund të kemi ndonjë surprizë përsa i përket largimeve që mund të vijë nga Vidal, Vuçiniç Matri apo Kualiarela. Gjithsesi një gjë është e sigurtë, nëse ndonjëri prej tyre do të largohej, do të sillte të ardhura të mjaftueshme për të sjellë në Torino lojtarin e dëshiruar nga Konte, Stefan Jovetiç.