Kukësi hyn në histori, kalon turin e parë në Europa Ligë si debutues
Kukësi është e vetmja skuadër shqiptare që ka kaluar me sukses turin e parë në Europa Ligë. Verilindorët siguruan kualifikimin ndaj estonezëve të Flora Talin falë golit në fushën kundërshtare.Pasi mahniti të gjithë me vendin e dytë në Superligë që në sezonin e parë ekipi i Kukësi ka bërë një paraqitje mjaft të mirë edhe në Europa Ligë duke mbetur përfaqësuesi i vetëm i Shqipërisë në këtë event europian.Skuadra verilindore regjistroi një kualifikim historik pas barazimi 0-0 në Qemal Stafa me Flora Talin duke u konfirmuar si kockë e fortë në shtëpi dhe duke arritur kalim mëse të merituar në raundin tjetër.Nënkampionet e Shqipërisë u treguan tejet agresiv që në start, aq sa Hoxha dhe Popovic patën mundësi të kalonin skuadrën në avantazh që në 20 minutat e para. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin e bardhë 0-0 ndërsa edhe pjesa e dytë e lojës nis me të njëjtin ritëm dhe me nënkampionet e Shqipërisë që vazhdojnë dominimin.Kuksianët mbeten superior ndaj kundërshtarit por u mungon vetem finalizimi. Në 10 minutat e fundit, ekipi i teknikut Cungu mbetet me 10 lojtarë në fushë si pasojë e daljes me karton të kuq të Musollit por gjithsesi arriti ta mbrojë rezultatin deri në fund. Ajo që ra në sy në këtë përballje ishte dominimi i skuadrës së Kukësit që meritonte më shumë se barazimi por në fund ajo që ka rëndësi është kualifikimi.Kuksianët, ndryshe nga kurbinasit dhe durrsakët, vijojnë më tej në turin e dytë të Ligës së Europës duke shënuar kështu një sukses mbresëlënës për debutuesit e këtij kompeticioni.Kundërshtari i radhës për nënkampionet e Shqipërisë në turin e dytë do të jetë skuadra boshnjake e Sarajevës.