Mino Raiola: Ibra do të qëndrojë 100% te PSG

Zlatan Ibrahimoviç nuk largohet nga skuadra e PSG-së. Edhe pse u fol për një largim të suedezit drejt Real Madrid, pas arritjes së marrëveshjes mes kryeqytetasve francez dhe Napolit për Edison Kavanin një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Lajmin e ka konfirmuar vetë menaxheri i gjigantit suedez, Mino Raiola, i cili në një intervistë për të përditshmen sportive italiane, “Corriere dello Sport” është shprehur se Ibra qëndron në PSG në 100 për qind."Mediat flasin për një marrëveshje të arritur mes Ibrës dhe Real, por unë nuk jam në dijeni të këtij fakti. Nëse Madrilenët do të kishin kontaktuar me sulmuesin, unë do të isha i pari i cili do ta kisha marrë veshë një gjë të tillë. Unë nuk e kalova Ibrën në Francë për të qëndruar vetëm 1 vit, por për të qëndruar më shumë këtu dhe për të përmbushur një mison që është triumfi në Kupat e Europës. Ibra ndihet mirë te PSG dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj skuadre edhe në të ardhmen. Ai dhe Kavani do të krijojnë  dyshen e sulmit më të frikshme në botë, ndaj dhe Ibra do të qëndrojë te PSG", ka thënë menaxheri i lojtarit Rajola.I pyetur nëse ka shanse që dy klientet e tij, Ibrahimoviç dhe Baloteli do të kenë shanset të luajnë së bashku në një skuadër, menaxheri i të dy sulmuesve është shprehur se ata do të luajnë së bashku pas dhjetë vitesh."Mbase ata do të luajnë së bashku..., por pas dhjetë vitesh. Ishte batuta e Rajolës në lidhje me dëshirën e Supermarios për të luajtur përkrahë gjigantit suedez. "Deri atëherë Zlatan nuk do të kthehet në Itali apo të lëviz në ndonjë vend tjetër. Ibra do të qëndrojë në Paris, kjo është e sigurt 100 për qind", përfundoi Raiola i cili mohoi çdo mundësi të një largimi të mundshëm të Suedezit nga kampionët e Francës.