David Villa kalon te Atletiko Madrid për 5 milion euro
Ashtu siç pritej, e ardhmja e sulmuesit të mirënjohur spanjoll, David Vija, do të vazhdojë larg skuadrës së Barcelonës. Me ardhjen e Naymar te Katalanasit, mundësitë që Vija të kishte një vend në formacionin e Tito Vilanovës ishin shumë të pakta, ndaj sulmuesi dhe vetë drejtuesit e kampionëve të Spanjës e menduan si të arsyeshme largimin e bomberit iberik nga “Kamp Nou”.Sipas mediave iberike, Barcelona ka konfirmuar zyrtarisht se ka arritur marrëveshje me Atletico Madridin për transferimin e sulmuesit David Vija në Vinsente Kalderon. Edhe pse Tottenhami shihej si favorit për të marrë shërbimet e sulmuesit iberik, gjithëçka ka ndodhur në minutat e fundit ku Atletico Madridi ka bërë një ofertë më joshëse në adresë të Katalanasve.Sulmuesi i Barcelonës largohet nga Katalonja pas tre sezoneve ku nuk arriti të shfaqej në maksimumin e potencialit të tij duke luajtur në vetëm 77 ndeshje zyrtare. Sipas njoftimit të klubit të Barcelonës, nga shitja e lojtarit, katalanasit do të përfitojnë fillimisht 2 milionë euro dhe më pas edhe 3 milionë të tjera nëse David Villa qëndron në Madrid edhe gjatë dy sezoneve të ardhshme deri në vitin 2016. Me pak fjalë Vija i është falur kryeqytetasve për shumën e 5 milion eurove, pasi vlera e tij konsiderohej shumë me e lartë. Po ashtu në klauzolën e arritur mes dy klubeve, thuhet se katalanasit do të marrin 50% të shumës së transferimit të David Vijas, në rast se Atletico Madridi vendos ta shesë atë në të ardhmen.Me këtë blerje, Atletico Madrid plotëson boshllëkun e lënë nga Radamel Falcao që u bashkua me Monacon në fillim të verës. Madje arrinë të shpenzojë shumë pak për të patur në dispozicion një sulmues potent dhe të talentuar si David Vija. Tashmë tekniku Diego Simeone ka arritur të sigurojë sulmuesin e kërkuar ku do të bazojë lojën e tij për sezonin e ri futbollistik.