Ogbonna te Juventus, arrihet akordi me lojtarin
Më në fund mbrojtësi i Torinos, Angelo Ogbonna, bëhet pjesë e kampionëve të Italisë, Juventus.Pas disa tratativash me jo pak pengesa mes klubeve të të njëjtit qytet, "Zonja" ka arritur të sigurojë shërbimet e mbrojtësit. Sipas "Sky Sport", bisedimet e së hënës mes Petrachi, Cairo, Marotta dhe Paratici ishin vendimtare. Palët janë larguar me akordin e arritur.Prej sot Ogbonna nuk do të shkojë në grumbullimin e Torinos, por do të drejtohet në selinë e Juves për të kryer vizitat mjekësore dhe për të firmosur kontratën e re.Për sa i përket akordit, flitet se fillimisht kërkesa e Torinos ishte shumë e lartë, ndërsa oferta e Juves e ulët, por më pas palët ndryshuan qëndrim dhe akordi u arrit. Kampionët ofronin 10 milionë euro + 2 milionë bonuse, ndërkohë që me 11 milionë + 3 milionë bonuse u mbyll gjithçka.