Miami mbron titullin kampion në NBA, mund San Antonion 95-88
Pas 7 sfidash më në fundë NBA ka njohur përfundimisht fituesin e sezonit 2012-2013 në basketboll. Miami Heat është shpallur sërish kampion i një prej kampionatëve më të rëndësishëm dhe më spektakolar të basketbollit në botë. Kampionet në fuqi të SHBA-ve kanë mposhtur me rezultatin 95-88 rivalët e Konferencës së Perëndimit, San Antonio Spurs, në sfidën e 7-të të Finaleve dramatike.LeBron James ka treguar edhe njëherë se është lider i një ekipi tashmë të pandalshëm. Me 37 pikët e shënuara prej tij ylli i basketbollit Amerikan ka udhëhequr ekipin nga Florida drejt titullit të dytë radhazi, të tretin në historinë e franshizës së drejtuar nga Eric Spoelstra, pas atyre të viteve 2006, 2012.James ka fituar edhe çmimin individual "MVP", si lojtari më i vlefshëm i fazës së Play-Off-eve në këtë sezon të NBA. Dwayne Wade shënoi 23 pikë për Heat, teksa pas ndeshjes u shpreh: "Këto kanë qenë "play-off"-et më të vështira, që kemi luajtur ndonjëherë, por ne jemi një ekip atletik dhe bëmë atë që duhej në fund".Tim Duncan, në krahun tjetër, shënoi 24 pikë për San Antonio Spurs, por nuk mjaftuan për të fituar titullin e 5-të në historinë e ekipit teksan, pas atyre në 1999, 2003, 2005, 2007.