Moto GP, Lorenzo dominon në Katalunjë përballë dy bashkëkombasve të tij

Pavarësisht diferencave që ka aktualisht Yamaha me Honda-n, Horge Lorenco e di shumë mirë se çfarë nevojitet për të fituar titullin botëror në Moto Gp.Piloti spanjoll zhvilloi një garë të shkëlqyer në shtëpi duke sfiduar madje edhe të nxehtin përvëlues të Katalonjës. Ndonëse u nis nga vendi i tretë, Lorenzo kaloi Pedrozën që në kthesën e parë, për të mos e lëshuar më vendin e parë deri në vijën e finishit. 26-vjecari nga Majorka mbajti prapa vetes gjatë gjithë kohës dyshen e ekipit Hondas Pedrosa - Marquez, duke i rezistuar më së miri atyre pak sulmeve që i erdhën nga rivalët.Kështu Lorenzo siguroi suksesin e dytë radhazi në kampionat dhe bëhet njëkohësisht i pari pilot në këtë edicion të klasit 1000 që fiton 3 gara. Merita më e madhe e 2 herë kampionit të botës, është përzgjedhja e duhur dhe më pas administrimi i shkëlqyer i gomave në temperaturat e larta të Montmelo-s. Në Çmimin e Madh të Katalonjës, emocionet më të mëdha i dhuroi dueli brenda familjes Honda, ndërmjet Pedrosa-s dhe Marquez. 4 xhiro para fundit, 20-vjeçari filloi sulmin, megjithatë nënkampioni i botës u mbrojt mirë, sidomos në xhiron përmbyllëse duke rezistuar deri në fund. Kjo është hera e tretë në 6 garat e para të sezonit, pas Austin e Jerez, ku podiumi kompletohet i gjithi nga pilot spanjollë, gjithsesi për të tjerët nuk ishte edhe aq garë e qetë, madje në përfundim pati plot 8 pilotë që nuk e mbyllën atë, pas rrëzimeve të emrave të tillë si Bautista, Hayden e Krutçlou.Valentino Rossi vazhdon të ketë mall për shampanjën e podiumit, sidoqoftë Doktori zhvilloi një garë relativisht të qetë dhe në fund e mbylli atë në vendin e katërt. Pas triumfit të 26 në karrierë, Lorenzo ngushton diferencën me kryesuesin e botërorit Dani Pedrosa, në vetëm 7 pikë, ndërsa spanjolli tjetër Marquez, ndjek nga pas i distancuar me plot 30 pikë nga shoku i tij i skuadrës. Gara e ardhshme do të zhvillohet pas dy javësh dhe do të jetë ajo e Çmimit të Madh të Holandës.