NBA, San Antonio surprizon sërish, merr kontrollin e përballjeve direkte

Finalja e NBA mes San Antonios dhe Majemit, po bëhet gjithmonë e më interesante pasi skuadra e Spërsave ka surprizuar sërish duke marrë avantazhin e fitoreve përballë kampionëve në fuqi.Manu Xhinobili ka dërguar San Antonion vetëm një hap larg fitores së titullit kampion në NBA, pasi argjentinasi me lojën e tij ka udhëhequr këtë skuadër në suksesin 114-104 ndaj Majemit, që çon rezultatin e përgjithshëm në 3-2 për ekipin e tij.Xhinobili ishte lëvizja surprizë e radhës e Greg Popoviç, i cili e aktivizoi për herë të parë si titullar në këtë sezon argjentinasin. Ky i fundit ja shpërbleu besimin me ndeshje perfekte për të mos thënë më të mirën e këtij viti. Basketbollisti argjentinas arriti që të shënonte 24 pikë e 10 pasime. 26 pikët e Toni Parker dhe 24 të tjera nga Deni Grin, shërbyen për të mbajtur larg Majemin sa herë që provonte të kthehej në garë, ndërsa teksanëve tashmë u duhet një fitore në dy ndeshjet e mbetura për të kthyer përsëri titullin kampion në pronësinë e tyre.Majemit nuk i mjaftoi një paraqitje e mirë e LeBron Xhejms dhe Duejn Uejd, të dy autorë të 25 pikëve. Po ashtu nuk mjaftoi as siguria në gjuajtje e Rei Alen që mbylli takimin me 21 pikë. Kampionët në fuqi të NBA nuk kanë arritur përsëri të fitojnë 2 ndeshje radhazi në këtë seri finale, por do të duhet të thyejnë këtë "mallkim" në dy sfidat e fundit në fushën e tyre. Nëse ja dalin të thyejnë këtë mallkim, atëherë titulli kampion do të jetë serish i tyre, ndërsa në rast të kundërt San Antonio do ti zbresë nga froni. Tani mbetet për tu parë ndeshja e ardhshme mes tyre e cila do të përcatojë shumë rreth fateve të të dyja skuadrave.