Pendohet Kabashi: Dua të rikthehem sërish në kombëtare
Elvis Kabashi është penduar për letrën e dërguar disa muaj më parë Federatës Shqiptare të Futbollit.Në Mars, një nga talentet e futbollit shqiptarë, bëri një deklaratë me të cilën kërkonte që mos të thirrej më nga Kombëtarja. Mesfushori shqiptar i Juventusit thotë se është përlotur gjatë ndeshjes së Shqipërisë kundër Norvegjisë dhe ka kërkuar që të rikthehet sërish në Kombëtare."Tani kuptoj pse më keni quajtur tradhëtar", shkruan Kabashi. Edhe unë, si çdo shqiptar, e ndjek, e shoh dhe e adhuroj kombëtaren shqiptare. Të gjithë mund të gabojnë dhe gabimi im më i madh ishte ajo letër drejtuar FSHF-së.Jam përlotur para ndeshjes me Norvegjinë, kam qarë nga fjalët e komentatorit, jam drithëruar nga ajo tifozeri e mrekullueshme dhe atë ditë kam marrë një vendim shumë të rëndësishëm. Kam vendosur të rikthehem në kombëtaren shqiptare dhe ju lutem më bëni një vend aty pranë jush e më mbështesni, ashtu si kombëtaren. Mos më quani më tradhëtar, sepse më vret shumë ajo fjalë", ka shkruar Kabashi në faqen e vet zyrtare në Facebook.Pas kësaj deklarate pritet një reagim i FSHF-së nëse do të pranojë pendesën e talentit të Juventusit. Siç e dimë të gjithë, tashmë FSHF ka miratuar një vendim, sipas të cilit, askush nuk do të grumbullohet më me kombëtaren, nëse e refuzon një herë atë.Por, duke parë moshën e re të Kabashit dhe vlerat e tij të larta, FSHF ndoshta duhet ta mendojë mirë vendimin që ka marrë, duke qenë se bëhet fjalë për një futbollist me potencial të madh, i cili është titullar tek të rinjtë e Juventusit, një prej ekipeve më të forta në Itali dhe jo vetëm.