Pirlo dhe Balotelli i japin fitoren Italisë ndaj Meksikës
Kombëtarja italiane e futbollit, ka marrë një fitore mjaft të vlefshme 2-1 ndaj Meksikës, në ndeshjen e luajtur në stadiumin legjendë të Brazilit, "Marakana", për Kupën e Konfederatave, duke hedhur një hap të rëndësishem drejt kalimit në turin tjetër të këtij aktiviteti. Skuadra e drejtuar nga Çezare Prandeli nuk është se ka shkëlqyer, por ka shfrytëzuar në maksimum mundësitë që i janë dhënë me dy figurat më përfaqësuese të kohëve të fundit, Pirlo e Baloteli.Ka qenë pikërisht regjizori i bardhezinjëve ai që ka kaluar në avantazh Italinë në minutën e 27-të të takimit. Pirlo ekzekuton shkëlqyer një goditje dënimi e cila përfundon në trekëndësin e portierit meksikan që në këtë rast mjaftohet me nxjerrjen e topit nga rrjeta. Me supergolin e realizuar, mesfushori Axurrëve, feston në mënyrën më të mirë ndeshjen e tij të 100-të me fanellën e kombëtares. Avantazhi i të besuarve të teknikut Prandeli, nuk zgjat shumë pasi meksikanët arrijnë të barazojnë rezultatin vetëm 7 minuta më vonë, fal penalltisë së Çikarito Hernandez, ndërsa i rezistojnë sulmeve të Italisë në minutat e fundit të kësaj pjese për ti mbyllur 45 minutat e para në shifrat 1-1.Në 45 minutat e dyta, Italia shfaqet më e rrezikshme para portës kundërshtare, por pa arritur të shënojë. Megjithatë, në minutën e 78-të, Xhakerini gjen Balotelin me një pasim perfekt dhe sulmuesi dërgon topin në rrjetë duke vulosur suksesin 2-1 dhe duke merituar plotësisht duartrokitjen e gjithë stadiumit "Marakana" në momentin e zëvendësimit kur mbeteshin 5 minuta nga fundi i ndeshjes.Ndeshja e radhës e Italisë është kundër Japonisë, ku në rast fitoreje, siguron pjesëmarrjen në gjysmëfinalet e turneut.