Spanja tregon dhëmbët, mund Uruguain 2-1
Ashtu si Brazili dhe Italia, edhe Spanja e ka nisur me këmbën e mbarë fillimin e Kupës së Konfederatave.Kampionët në fuqi të Botës dhe Europës kanë bërë të qartë që në takimin e parë se synojnë të fitojnë trofeun e vetëm ndërkombëtar që i mungonë në muzeun e saj me një sukses domethënës, 2-1 ndaj Uruguait në përballjen e parë të këtyre dy skuadrave në Kupën e Konfederatave.Spanjollët kanë dominuar që nga minuta e parë e ndeshjes, duke kontrolluar lojën që është edhe arma e tyre më e fortë. Shtylla e goditur nga Fabregas ishte vetëm sinjali i parë i një ndeshje të luajtur në sulm nga ana e Iberikëve. Në minutën e 21 vjen edhe zhbllokimi i rezultatit nga ana e të besuarve të teknikut Del Boskue, ku atuori i golit është katalanasi Pedro. Pas 10 minutash janë sërish spanjollët që arrijnë të dyfishojnë shifrat por kësaj radhe me sulmuesin e Valencias Soldado. Avantazhi i dyfishtë i kampionve në fuqi të Botës dhe Europës erdhi si rrjedhojë logjike e një dominimi që në pjesën e parë.Në pjesën e dytë, Uruguai provoi disi të reagonte, por e kishte thuajse të pamundur të luftonte si i barabartë me Spanjën, që u shfaq në një formë të shkëlqyer në çdo repart. Goli me të cilin Uruguai bëri pak më të pranueshme humbjen erdhi vetëm në minutën e 88-të nga një goditje dënimi e Suarez, i cili ishte i vetmi nga uruguaianët që u mundua të krijonte rreziqe në portën e Kazijas gjatë ndeshjes.Spanja merr tre piket e parë në grupin B duke mundur rivalin kryesor të këtij grupi, ndërsa sot pret që të luhet edhe përballja tjetër e këtij grupi mes Tahitit dhe Nigerit.