FIFA e lë sërish në dorë të Serbisë çështjen e kombëtares së Kosovës
Vendimi i FIFA-s për të njohur Kosovën dhe për të bërë hapa para drejt përfaqësimit ndërkombëtar të klubeve dhe kombëtares në arenën ndërkombëtare, ka mbetur në “vendnumëro”. Një situatë të tillë e di mirë edhe presidenti i FIFA-s, Sep Blater, i cili pavarësisht deklaratave të shumta për mbështetje të plotë ndaj Kosovës, dje ka lënë përsëri futbollin kosovar në duart e Federatës Serbe, praktikisht duke iu lutur këtyre të fundit që të ndihmojnë zhvillimin e futbollit të Kosovës."Meqë kam ardhur në Serbi me ftesë të kryeministrit tuaj, Ivica Daçiç, i kërkova atij të gjejë solidaritetin dhe një zgjidhje që kërkohet nga komshinjtë tuaj të Kosovës, në mënyrë që të rinjtë e tyre të luajnë futboll", ishin fjalët e Blater gjatë vizitës në Federatën Serbe të Futbollit. "Ky problem kaq delikat nuk mund të zgjidhet në dy orë, duhet zgjidhur hap pas hapi, por ka hapësira për të gjetur një zgjidhje në të ardhmen. Është ndërtuar një tabele pune në mënyrë që në Tetor të përfshijmë lojtarët e territorit të Kosovës në këtë lojë", tha Blater.Gjithsesi, fakti se Blater ka etiketuar Kosovën si "territor", tregon qartë se presidenti i FIFA-s është dorëzuar përballë presionit të palës serbe, duke bërë prapakthehu në idenë e tij që Kosova të jetë plotësisht e pavarur edhe në arenën futbollistike.Nga ana tjetër, presidenti i Federatës Serbe, Tomislav Karaxhiç, bëri të qartë se nuk do të lejonte zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare nga klubet dhe kombëtaret e Kosovës para se ajo të njihej nga Kombet e Bashkuara."Vendimi i FIFA-s është i arsyeshëm pasi çdo fëmijë ka të drejtë të luajë futboll, përfshirë ata në Kosovë. Por është e qartë se klubet dhe ekipet e tyre kombëtare nuk do të lejohet të marrin pjesë në aktivitete para se të njihen nga Kombet e Bashkuara", tha ai. Ndërsa dje kombëtarja e Shpresave te Kosovës është mundur nga Gana me penallti pas përfundimit të lojës së rregullt 2-2 në turneun miqësor "Valais Youth Cup".