Merkato verore pritet të shënojë rekorde transferimesh
Ndonëse merkatoja e futbollistëve do të hapet zyrtarisht në 1 Korrik, konkurrenca mes disa klubeve të mëdha të Europës, për të njëjtët futbollistë, rrezikon të shndërrojë sezonin e transferimeve të kësaj vere në më të kushtueshmin në histori.I pari, Real Madrid, është duke këmbëngulur që të sigurojë blerjen e 23-vjeçarit Gareth Bale dhe aq shumë i pëlqen uellsiani madrilenëve, sa ata janë të gatshëm ta shndërrojnë në futbollistin më të shtrenjtë të historisë.Sipas spekulimeve të shtypit britanik, pasi oferta prej 85 milionë eurosh nuk e ka bindur Tottenhamin, Reali është i gatshëm që të përmirësojë ofertën e tij deri në 100 milionë euro, gjashtë më shumë se 94 milionë eurot e paguar për blerjen më të shtrenjtë të historisë, Cristiano Ronaldo.Megjithatë, një "Kuintal" milionë euro nuk ofrojnë vetëm në kryeqytetin spanjoll.Është klubi i Monacos në Francë, i vendosur nën pronësinë e një multimiliarderi rus, ai që është i gatshëm t'i paguajë po të njëjtën shumë gjigantëve spanjollë, për yllin e tyre Ronaldo.Jo vetëm kaq, por në Monaco janë të gatshëm që të dyfishojnë pagën e portugezit, që nëse do të pranojë transferimin, do të përfitonte 23 milionë euro në sezon.Shifra "të çmendura", që i bashkohen blerjeve tashmë të zyrtarizuara të Neymar, për 54 milionë euro nga Barcelona apo të Falcao, për 60 milionë euro nga Monaco, të cilat gjithmonë e më shumë po rrezikojnë ta shndërrojnë merkaton e vitit 2013, në më të "nxehtën" e historisë.