Mourinho sulmon Barcelonën në konferencën e parë për shtyp si trajner i Chelsea

Hoze Murinjo ka zhvilluar konferencën e tij të parë për shtyp që pas firmosjes me Çelsin duke u bërë trajneri i kësaj skuadre. Në praninë e më shumë se 250 gazetarëve, trajneri portugez ka komentuar kthimin si një nga momentet më të lumtura të jetës së tij."Tani mund të më quani "i lumturi". Duhet ta dini që raporti mes meje dhe Abramoviç nuk është prishur asnjëherë dhe në vitin 2007 nuk u shkarkova nga detyra. Ishte një vendim i përbashkët për të cilin nuk jam bërë pishman.Më pas unë shkova te Inter ku përjetova momentin më të bukur të karrierës time si dhe te Reali ku theva rekordet e futbollit spanjoll. Edhe Çelsi gjithashtu nuk ia kaloi keq, pasi fitoi trofe dhe u shpall Kampion Evrope.Unë vazhdoj të jem i njëjti person, por kam mësuar nga eksperiencat e mëparshme. Vij këtu sepse mendoj se është e mundur që të bëhet edhe më mirë se herën e parë", tha trajneri që me Çelsin në vitit 2004-2007 ka fituar 6 trofe.Kuptohet që konferenca ka përfunduar me pyetjet e pashmangshme për debatin me Iker Kasijas si dhe mënyrën se si portugezi interpretonte fjalët e Iniestas, i cili tha për të se kishte dëmtuar rëndë futbollin spanjoll."Unë kam bërë zgjedhje profesionale në bazë të meritokracisë. Edhe këtu nuk do të ketë privilegje për askënd, as për ata lojtarë që kanë mbetur nga eksperienca ime e parë. Inesta tha se jam e keqja e futbollit spanjoll?Po, kam dëmtuar futbollin spanjoll duke ndërprerë dominimin pa fund të Barcelonës. Kam fituar finalen e Kupës ndaj Barcelonës, kam fituar Superkupën ndaj Barcelonës, kam fituar në fushën e Barcelonës, kam fituar edhe kampionatin e rekordeve ndaj Barcelonës, me 100 pikë e 121 gola.Ky ka qenë dëmi që kam bërë unë", ishte kundërpërgjigja e portugezit që në deklaratën e parë si trajner i Bluve të Londrës.