Samir Ujkani: Dua të qëndroj te Palermo por nuk varet nga unë

Vazhdon të jetë e paqartë e ardhmja e portierit të kombëtares sonë, Samir Ujkani.Gardiani kuqezi i cili kaloi nga Palermo drejt Chievos për gjysmën e sezonit në Seria A, duket se është pranë rikthimit në shtëpi. Në një intervistë  të dhënë për “Mediagol.it”, portieri kosovar shprehet se e ardhmja e tij tek skuadra e Palermos nuk është e sigurt. Nga Chievo ai pritet të largohet pa nisur sezoni i ri futbollistik ndërsa te Palermo duket se konkurenca është shumë e lartë pasi aktualisht ndodhen edhe 5 portierë të tjerë, pavarësishtë se skuadra vitin e ardhshëm do të luaj në Serinë B.Gjatë intervistës, Gardiani shqiptar theksoi se: "Për momentin asgjë nuk dihet në lidhje me të ardhmen time. Për momentin do të kthehem në Palermo, por më pas do të shohim se si do të shkojnë gjërat. Palermo ka pesë portierë dhe kjo më bën të mendojë që duhet parë ndonjë skuadër tjetër. Nëse klubi do të më llogariste mua si portier, do të isha i nderuar, por ende nuk kam biseduar asgjë me ta ", u shpreh portieri shqiptar i cili pasi ka humbur vendin prej titullari në kombëtare nuk shihet me një sy të mirë as nga skuadrat e tjera.Për sa i përket merkatos së Legjonarëve, lajmi më i bujshëm është ai i një kalimi të mundshëm të mbrojtësit Mavraj në radhët e  skuadrës së Lacios, ku drejtori sportiv i kryeqytetasve, Tare, e kërkon me ngulm.Miratimi i lojtarit ka ardhur ndërsa pritet vetëm nënshkrimi i mbrojtësit kuqezi me bardhekaltrit.  Miqësia mes Tares dhe Mavrajt, janë një shtysë më shumë që kosovari ti bashkohet ekipit kryeqytetas, ku do të gjejë edhe shokun e repartit të kombëtares, kapitenin Cana.