Juventus, sa vështirë për të arritur te një "Top Player"!
Merkato e Juventusit sa vjen e bëhet më interesante dhe më e vështirë nga dita në ditë. Ëndrra e Bardhezinjve për të blerë një "Top Pleyer", duket se do të vazhdojë gjatë edhe këtë merkato verore ashtu siç ka ndodhur edhe në të shkuarën. Tre sulmuesit që "Zonja e Vjetër" kërkon prej kohësh, kanë shprehur qartazi dëshirën për të veshur fanellën e kësaj skuadre, por janë klubet e tyre respektive që po krijojnë probleme.
Futbollisti malazez i Fiorentinës, Stevan Jovetiç, ka deklaruar publikisht se pret të largohet nga skuadra aktuale në kërkim të një sfide të re në karrierën e tij. Lojtari kërkohet prej kohësh nga skuadra si Juventus e Arsenal, të cilat janë gati të sigurojnë futbollistin që në sezonin e fundit shënoi 13 gola në 31 ndeshje."Kam qëndruar te Fiorentina për 8 sezone dhe kam dhënë gjithçka këtu. Juventusi ka një vit radhazi që ka shprehur dëshirën të më ketë në skuadër. Më kanë vënë në radhë para Ibrahimoviç, Tevez e Higuain, kush nuk do të krenohej nga një vlerësim i tillë? Mendoj se nën drejtimin e Konte mund të përmirësohem më shumë. Unë jam në pritje, të shohim se çfarë do të ndodhë deri në fund të merkatos", deklaroi Jovetiç.
Përveç Jovetiç, dëshirën për tu veshur bardhezi e kanë shprehur edhe dy sulmuesit argjentinas, Higuain e Tevez. Me të dy lojtarët është arritur një marrëveshje por janë drejtuesit e skuadrave të tyre që vazhdojnë të nxjerrin probleme. Për El Pipitan, drejtuesit e Real kërkojnë kartonin e Vidal ose 30 milion euro. Në rast se kjo nuk arrihet ata janë të gatshëm ta tërheqin bomberin e tyre nga merkato duke e konsideruar si të pashitshëm poshtë këtyre shifrave.
Ndërsa për sa i takon sulmuesit të Sitit, Tevez, së fundmi kanë dalë në pah disa probleme të reja. Ardhja e Pelegrinit në krye të "Qytetarëve" britanik pritet të konfirmojë sulmuesin argjentinas si të pashitshëm, ndërsa për kartonin e tij në garë ka hyrë sërish edhe Milan. Galiani mund të bëjë çmendurinë e madhe ta ndërrojë me talentin El Sharaui, pasi Tevez vazhdon të mbetet një ëndërr e vjetër e Administratorit të Kuqezinjve. Ajo që mund të themi për momentin është se Juventus vazhdon të kërkojë sulmues por se sa do të arrihet një gjë e tillë mbetet për tu parë deri në fund të merkatos.