Portugalia mund Kroacinë me rezultatin minimal 1-0 në miqësore
Vijon seria e rezultateve pozitive për kombëtaren e Portugalisë e cila pasi mundi Rusinë e Kapelos për eliminatoret Brazil 2014, ka arritur të sigurojë një tjetër fitore por kësaj radhe në miqësore. Luzitanët kanë mposhtur me rezultatin minimal 0-1 Kroacinë në miqësoren e luajtur mbrëmjen e djeshme. Goli i yllit të Real Madrid, Cristiano Ronaldo, vendosi edhe fatet e kësaj miqësore luksi e cila u shvillua në Zvicër.
Pas një gjesti shumë teknik, Ronaldo arriti ti shmangej shumë lehtë mbrojtjes kroate dhe me një gjuajtje shumë preçize arriti të tundë rrjetën duke treguar potencialin dhe klasin e tij.
Me dy fitoret e arritura radhazi, kombëtarja e Portugalisë e cila udhëhiqet nga një prej lojtarëve më të mirë në botë, pritet që të fitojë shumë pikë në renditjen e FIFA-s ndërsa mbetet një nga pretendentët kryesor për të zënë vendin e parë në Grupin e Eliminatoreve, ku kundërshtari më i fortë padyshim do të jetë Rusia e teknikut Italian, Kapelo.
Nga ana tjetër zhgënjyese mund të cilësohet paraqitja e Kroacisë që arriti të bënte diçka vetëm në fundin e ndeshjes, me gjuajtjet e Haliloviç dhe Vida, por pa arritur të paktën të merrte një barazim nga kjo sfidë.
Kjo është ndeshja e dytë në pak ditë për të dy kombëtaret, të cilat të Premten luajtën edhe ndeshjet eleminatore. Në këtë takim Ronaldo përveçse arriti të shënonte një gol fantastik ai zbriti në fushë edhe me look-un e tij të ri.