Brazili hakmerret ndaj Francës, fiton 3-0 në miqësore
Brazili më në fund ka filluar të funksionojë ashtu siç duhet dhe prova më e qartë për të treguar këtë fakt, është fitorja 3-0 ndaj kombëtares së Francës pak ditë para fillimit të Kupës së Konfederatave.
Skuadra e teknikut të mirënjohur Skolari, ndonëse është ende shumë larg asaj që pritet nga organizatorët e Kupës së Botës, të paktën ka filluar të regjistrojë fitore, siç ndodhi me francezët të cilët nuk i mundnin që nga viti i largët 1992.
Brazili dominoi ndeshjen, duke krijuar më shumë raste me Neimar e Fred, të cilët shpesh u shfaqen lehtësisht përballë Loris, duke përfituar nga manovra e ngadaltë mbrojtëse e francezëve. Rezultati i kësaj epërsie është edhe goli i avantazhit i shënuar në minutën e 54-t nga Oskar, ndërsa më pas ritmi i lojës nga të dy skuadrat bie.
Për të parë golin e dytë të Brazilit duhet pritur minuta e 84-t ë e takimit, kur pas një kundërsulmi braziliani I Lacios Hernanes dërgoi topin në rrjetë duke dyfishuar rezultatin. Minuta e 93-të vulosi edhe rezultatin përfundimtar, pas penalltisë së fituar nga mbrojtësi madrilenë, Marçelo, dhe të transformuar saktësisht në gol nga mesfushori i PSG-së, Lukas Moura.
Ky rezultat shërben më shumë për të ngritur moralin për skuadrën e Skolarit, që vazhdon të përballet me kritika, pasi nuk ka arritur ende të bindë me paraqitjet e veta. Suksesi përballë një kundërshtari të fortë, pak ditë para Kupës së Konfederatave, është një sinjal i qartë se skuadra e Seleçaos ka filluar të funksionojë. Kjo falë meritës së trajnerit Skolari por edhe talenteve që po rriten dhe që asnjëherë nuk i kanë munguar kësaj skuadre.
Nga ana tjetër, Gjelat e skuadrës së Deshamp, vazhdojnë të shfaqin vështirësi në ndeshjet e fundit sidomos në transfertë. Pas humbjes me Spanjën, në grupin e eliminatorëve, kombëtarja transalpine rregjistron edhe dy humbje të tjera në miqësore ndaj Uruguait dhe tashmë ndaj 5 herë kampionëve të Botës.