Tare mohon nënshkrimin me Mavraj por pista mbetet e hapur

Edhe pse flitej për kalimin e një tjetër shqiptari në radhët e skuadrës së Lacios në Itali, drejtori sportiv i Bardhekaltërve, Igli Tare, ka sqaruar gjithëçka rreth zërave të fundit.Ish sulmuesi i kombëtares sonë në një intervistë për mediat Italiane ka mbyllur përkohësisht rrugën transferimit të Mergim Mavrajt te Lacio për sezonin e ardhshëm, duke bërë të qartë se pavarësisht interesimit, nuk kishte ekzistuar asgjë konkrete për mbrojtësin e përfaqësueses shqiptare. Duke folur për një nga mediat e kryeqytetit italian, Tare ka shpjeguar mendimet e tij mbi merkaton e klubit dhe atë që pritet të ndodhë gjatë verës."Do të afrojmë në skuadër 4-5 lojtarë, po punojmë për këtë çështje dhe kur të jetë momenti i duhur, do të tregojmë gjithëçka. I pyetur rreth Mavrajt, Tare është përgjigjur: “Ai është një lojtar fantastik por ne nuk kemi kontaktuar kurrë me të. 99% e asaj që dëgjoj nuk është e vërtetë", deklaroi Tare për mbrojtësin shqiptar që aktivizohet te Grojter Fyrth.Por kjo deklaratë nuk ka mbyllur përfundimisht çështjen e transferimit të Mavrajt pasi vetë fjalët e Tares nuk kanë përjashtuar kategorikisht blerjen e mbrojtësit shqiptar. Duke parë se Grojter Furth e deklaroi të pashitshëm mbrojtësin për të synuar rritjen e çmimit, tashmë edhe Lacio pretendon se nuk ka më interes te ai, në mënyrë që t'i kundërpërgjigjet kësaj lëvizje të klubit gjerman.Mediat italiane bëjnë të ditur se nëse situata kthehet ajo e një jave më parë, me klubin gjerman që pranon një ofertë prej 2.5 milion eurosh, atëherë transferimi i lojtarit do të realizohet, pasi Petkoviç ka dhënë miratimin e tij për këtë lëvizje.Çështja Mavraj nuk duket një kapitull i mbyllur për Kryeqytetasit të cilët për ti ulur disi çmimin kanë mohuar kontaktet me lojtarin.