Kombëtarja e Shpresave mundet nga Hungaria 1-2

Kombëtarja Shqiptare e 21-vjeçarëve e ka nisur me humbje fushatën e eliminatoreve të Kampionatit Europian. Kuqezinjtë tanë janë mundur me rezultatin 2-1 në ndeshjen e parë të grupit 4, kundër 21-vjeçarëve të Hungarisë në takimin e luajtur në stadiumin "Niko Dovana" të Durrësit.Të besuarit e teknikut Skënder Gega, e nisin mirë takimin duke rrezikuar portën e kundërshtarit që në minutat e para. Idriz Batha, gjuan fortë me të djathtën por topi i goditur prej tij kalon ngjitur me trekëndëshin e portierit hungarez. Pas këtij rasti janë miqtë ata që rrezikojnë portën e Menkes por pa arritur të gjejnë rrugën e rrjetës. Në minutën e 27-të, sulmuesi i kuqezinjve, Fabio Hoxha, fiton një penallti pas një aksioni të pastër për gol. Nga pika e penalltisë është mesfushori Taipi ai që merr përsipër ekzekutimin duke i dhënë avantazhin kombëtares kuqezi. Gëzimi i të besuarve të Gegës nuk zgjat shumë pasi janë hungarezët që arrinë të barazojnë shifrat vetëm pas 2 minutash me autor lojtarin Adorian.Pjesa e parë mbyllet me këto shifra ndërsa e dyta nis me një rast të pastër për Hungarezët por që portieri Menka tregohet deçiziv me ndërhurjen e tij. Kuqezinjtë mundohen të reagojnë por janë sërish miqtë nga Hungaria që arrinë të gjejnë rrugën e rrjetës me anë të Uindeker në minutën e 69-të. Ky i fundit shënon një gol fantastik nga distanca duke befasur gardianin e kuqezinjve. Në minutat e mbetura të besuarit e teknikut Gega kërkojnë golin e brazimit, por fati nuk është me ta në minutën e 74-të, ku goditja e Taipit ndalet nga traversa. Fundi i takimit sjell humbjen e parë të kombëtares shpresa që në ndeshjen e parë të eliminatoreve. Ndeshja e radhës për të besuarit e Gegës është kundër Bosnjës pas 4 ditësh në transfertë.