Del Bosque, i shqetësuar për formën e sulmuesve në skuadër
Në prag të fillimit të Kupës së Konfederatave, trajneri i Spanjës, Vicente Del Boske, ka lënë të kuptohet se nuk është i kënaqur me sulmuesit që ka grumbulluar, pasi mendon se ata janë jashtë forme, ose të paktën larg periudhës së artë të tyre. Në ndeshjet e fundit, trajneri i Spanjës ka përdorur Fabregas si një sulmues dhe mund të vazhdojë të përdorë të njëjtin sistem edhe pse ka në ekip lojtarë si David Vija, Fernando Torres e Roberto Soldado."Do të luajmë me një sulmues, kjo është shumë e qartë, qoftë ky një "9 e fshehtë" apo një sulmues i mirëfilltë. Si rregull, çdo skuadër duhet të luajë me një numër 9, por ne nuk kemi gjetur një që na bind plotësisht", shpjegoi trajneri i Spanjës."Ndoshta kjo është edhe faji ynë, disa u provuan, por Negredo, Torres, Soldado, apo edhe Vija, nuk është se na kanë kënaqur me paraqitjen e tyre. Ne na duhen lojtarë në këtë repart të cilët marrin pjesë në lojë, që janë të dukshëm dhe pjesë aktive e manovrës", shpjegoi trajneri i Spanjës.Më pas, Del Boske pranoi se një nga emrat më të rëndësishëm për skuadrën e tij në këtë turne do të ishte mesfushori i Bajern Mynih, Havi Martinez, i cili planifikohet të jetë titullar i paprekshëm."E kam thënë shpesh dhe nuk do të ndryshoj fjalët e mia. Ai është një lojtarë i shkëlqyer që përshtatet shpejtë me çdo llojë formacioni apo loje. Një gjë të tillë e ka treguar më së miri te Bajern ku ishte pjesë e rëndësishme në fitoren e tripletës së Bavarezve të Ligës. Për mua ai do të jetë zgjedhje e parë në skuadër", shpjegoi trajneri spanjoll duke thurur lavde për mesfushorin e bavarzëve.