Morati: Nuk e shes Interin, Ibra dhe Ronaldo blerjet më të goditura

Presidenti i Interit, Masimo Morati, në një intervistë për mediat italiane ka folur rreth situatës së negociatave me indonezianin Tohir, i cili presupozohet se do të marrë një pjesë të aksioneve të skuadrës, për t'u bërë bashkëpronar i ekipit Zikaltër."Kam lexuar disa shifra të pabesueshme, aspak të vërteta nëpër media. Çështja nuk është të shes skuadrën, por të rindërtoj klubin. Indonezianët nuk janë të vetmit që kanë shprehur interesim për të investuar, ka të tjerë që janë interesuar më parë dhe tani po shfaqen përsëri. Do të shohim se kush do të ofrojë më shumë dhe nëse do të arrijmë të bëjmë diçka të rëndësishme në të mirë të klubit të Interit. Të gjithë janë të mirëpritur që të investojnë, por asnjëherë nuk më ka shkuar ndërmend që të shesë të gjitha aksionet ", shpjegoi Morati për mediat duke lënë të kuptohet se ai nuk dëshiron të largohet nga drejtimi i skuadrës.Morati është akuzuar shpesh si një president që shpenzonte shumë në të kaluarën, pa pasur shumë rezultate, por numri 1 i zikaltërve në periudha të veçanta, ka arritur të bëj investime të rëndësishme për skuadrën e tij duke kënaqur tifozët me yjet që sillte në skuadër.Dy investimet që Morati nuk pendohet asnjëherë, janë blerja e fenomenit Ronaldo dhe ajo e Ibrahimoviç.  "Investimet më të rëndësishme, në aspektin sportiv, por edhe të përfitimeve të klubit, ishin Ronaldo dhe Ibrahimoviç. Të dy këta lojtarë janë pritur si mbretër në Milano dhe kanë dhënë kontribut të çmuar për fitimin e trofeve", deklaroi Morati për dy ndër sulmuesit më të fortë që kanë veshur fanellën e Interit nën drejtimin e tij.